Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake të Serbisë (VBA).
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), Hoxha ka bërë të ditur se njëri nga tre personat e arrestuar në lidhje me këtë rast është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në shërbimin e inteligjencës ushtarake serbe.
“Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas drejtorit të Policisë së Kosovës, hetimet e zhvilluara deri më tani kanë siguruar prova të mjaftueshme që, sipas tij, e lidhin drejtpërdrejt këtë akt me struktura të inteligjencës serbe.
Ai ka theksuar se nga vendi i ngjarjes janë mbledhur fakte të shumta, të cilat janë ekzaminuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Faktet e mbledhura nga terreni, të cilat janë analizuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer këtë akt terrorist”, ka theksuar Hoxha.
Ai ka shtuar se një pjesë e pajisjeve të sekuestruara në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar fillimisht nga Policia e Kosovës dhe më pas janë dërguar për analiza të specializuara në laboratorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas janë dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat e dyshuar drejtpërdrejt me krimin”, ka deklaruar ai.
Hoxha ka folur gjithashtu për situatën e përgjithshme të sigurisë në veri të Kosovës, duke theksuar përkushtimin e Policisë së Kosovës në luftën kundër armëve ilegale dhe grupeve kriminale. Sipas tij, operacionet policore kanë sjellë rezultate konkrete në rritjen e sigurisë dhe në parandalimin e veprimtarive të paligjshme.
Në këtë kontekst, ai është ndalur edhe te sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës, por edhe te sukseset e arritura gjatë vitit të fundit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka theksuar se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë, duke ritheksuar se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.
The Geo Post

YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë
Propozimi për Serbinë “tregon se Kongresi ndjek zhvillimet në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë”
“Malit të Zi i kushtëzohet hyrja në BE”, Kroacia i kërkon pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro
Projektligji për Serbinë dorëzohet në Senatin amerikan – parashihen sanksione për destabilizim të Ballkanit
Kë, në fakt, përfaqësojnë partitë “ruse” në Serbi?
A po e ringjall Putini “Serbinë e Madhe”?