Gjatë vitit 2025, institucionet e Republikës së Kosovës kanë intensifikuar ndjeshëm përpjekjet për zbulimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dyshuara për spiunazh – një nga kërcënimet më serioze ndaj sigurisë kombëtare dhe sovranitetit shtetëror.
Si rezultat i këtyre angazhimeve, janë identifikuar disa raste të rënda që lidhen me bashkëpunim të dyshuar me shërbime të huaja të inteligjencës, kryesisht me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Hetimet kanë çuar në arrestime, caktim të masave të paraburgimit dhe ngritje aktakuzash nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se gjatë vitit 2025 janë arrestuar katër persona për veprën penale të spiunazhit.
Sipas Prokurorisë, arrestimet janë realizuar pas hetimeve të gjera në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas raportimeve mediatike dhe burimeve të sigurisë, gjatë vitit 2025 në procedura penale për spiunazh janë përfshirë këta persona: Fatmir Sheholli, Bojan Jevtiq, Hysri Selimi dhe Jelena Gjukanoviq.
Fatmir Sheholli u arrestua më 9 tetor 2025 në Prishtinë, nën dyshimet se kishte mbledhur dhe transmetuar informacione të ndjeshme te BIA serbe.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ai dyshohet se ka përcjellë të dhëna për pronat e pretenduara të serbëve në Kosovë dhe materiale komprometuese të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat më pas janë publikuar në media online kundrejt pagesave financiare.
Gjykata i caktoi masën e paraburgimit, e cila është zgjatur më pas.
Bojan Jevtiq, toger i Policisë së Kosovës dhe shef operativ në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, u arrestua më 17 korrik 2025.
Prokuroria pretendon se ai kishte transmetuar informacione operative dhe të ndjeshme për institucionet e sigurisë në Kosovë te BIA serbe.
Ai vazhdon të mbahet në paraburgim, ndërsa rasti është në procedurë gjyqësore.
Hysri Selimi u arrestua më 6 maj 2025 dhe ndaj tij u ngrit aktakuzë më 9 shtator 2025.
Sipas Prokurorisë, Selimi kishte bashkëpunuar me BIA-n që nga viti 2009, duke dhënë informacione për ish-pjesëtarë të UÇK-së, krime lufte dhe rryma radikale.
Në aktakuzë përfshihet edhe udhëtimi i tij në Siri në vitin 2015 dhe raportimet për pjesëmarrjen e shqiptarëve në ISIS, për çka thuhet se ishte paguar rregullisht nga shërbimet serbe.
Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, u arrestua më 28 shkurt 2025 pas hetimeve disa mujore.
Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj saj më 4 shtator 2025, duke e akuzuar se ka ndihmuar BIA-n serbe me informacione të ndjeshme dhe ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës.
Ajo vazhdon të mbahet në paraburgim.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka ngritur gjithsej katër aktakuza ndaj pesë personave për veprën penale të spiunazhit.
Në muajin dhjetor, PSRK ka ngritur një aktakuzë shtesë ndaj Jovan Viqentijeviq, një nga të dyshuarit kryesor për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor 2024, ku përveç veprave të tjera, ai ngarkohet edhe për spiunazh.
Prokuroria Speciale ka theksuar se nuk mund të japë detaje për rastet që janë ende në hetim, por ka riafirmuar angazhimin institucional për ndjekjen e këtyre veprave penale.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me minimum pesë vjet burgim në rast të shpalljes fajtor./TheGeoPost.

Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë
Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Ambasada amerikane paralajmëron se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin
NATO përgënjeshtron Rusinë për militarizimin e Ballkanit Perëndimor
Përballë Rusisë dhe Kinës, NATO aktivizon strategjinë e re në Arktik
Raporti vjetor i NATO-s: Rusia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë