Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • ENG
  • ALB
  • SRB
  • UKR
  • RRETH NESH
  • Lajme

Sanksionet amerikane, lajme të këqija në fillim të sezonit të ngrohjes në Serbi

The Geopost October 14, 2025 6 min read

Foto credit: RFE/RL

Share the news

Vetëm në një javë, në Serbi mbërritën dy lajme që ngritën pyetje rreth sigurisë së saj energjetike – ndërkohë që Shtetet e Bashkuara filluan të zbatojnë sanksione ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë ruse, Moska vendosi ta zgjasë marrëveshjen e gazit me Beogradin vetëm deri në fund të vitit.

Kjo është arsyeja pse ekziston frika, pavarësisht garancive nga autoritetet, nëse do të ketë energjentë të mjaftueshëm për ngrohje.

E vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, Naftna industrija Srbije (NIS), është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga 9 tetori, për shkak të pronësisë shumicë ruse.

Nga ana tjetër, sipas Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “një lajm shumë zhgënjyes” priti Serbinë dy ditë më vonë – Rusia zgjati marrëveshjen e gazit me Serbinë deri në fund të vitit, dhe jo për tre vjet, siç kishin pritur autoritetet në Serbi.

Serbia është e varur nga gazi rus dhe shumica e amvisërive në Serbi që përdorin ngrohjen qendrore ngrohen me gaz.

Ekonomisti Ljubodrag Saviq thotë se nuk pret ndërprerje të furnizimit me gaz për Serbinë, as rritje të çmimit të këtij energjenti.

“Ky është një lëvizje taktike nga Rusia, një lloj presioni ndaj Serbisë me një mesazh të qartë – ne jemi të hapur për të biseduar, por nuk do të ketë nacionalizim (të NIS-it)”, thotë ai.

Sipas pohimeve të Vuçiqit të bëra më 11 tetor, zyrtarët amerikanë i kishin propozuar që Serbia të nacionalizonte NIS-in dhe në këtë mënyrë të shmangte sanksionet, por ai thotë se e refuzoi këtë.

Vuçiq njoftoi më 13 tetor, pas takimit me delegacionin rus në lidhje me NIS-in, në rrjetin social Instagram se nuk do të ketë kurrfarë mungese të naftës dhe derivateve të naftës, as krizë energjetike.

Cilat janë reagimet e zyrtarëve në Serbi?

Presidenti i Serbisë tha më 13 tetor se ishte “i kënaqur me hapjen, konstruktivitetin dhe sinqeritetin” pas takimit me Kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Gazprom Neft, Aleksandar Dyukov, dhe Zëvendësministrin Rus të Energjisë, Pavel Sorokin.

Kompania ruse Gazprom Neft, një filial i Gazprom, ka përqindjen më të madhe të pronësisë në NIS – 44.9 për qind.

Një tjetër pronar i rëndësishëm është kompania tjetër e menaxhuar nga Gazprom – Intelligence nga Shën Petersburgu (11.3 për qind e aksioneve).

Vuçiq kishte thënë më parë se shteti do të “ndërmarrë masa” për shkak të sanksioneve ndaj NIS-it, dhe se palës ruse do t’i paraqiste “ide të reja” në lidhje me kompaninë e sanksionuar.

Ndryshe, NIS është vendosur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim të parandalimit të financimit të luftës ruse në Ukrainë, përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.

Deklaratat e ministres së energjetikës për sanksionet ndaj NIS-it ishin më të ashpra.

Ministrja e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë, Dubravka Djedovic Handanoviq, deklaroi më 11 tetor se ishte mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Bordit të Drejtorëve të NIS-it, por se plani i menaxhmentit për operacionet e kompanisë nuk u prezantua.

“Ne prisnim të dëgjonim se cili është plani i menaxhmentit dhe i kompanisë për operacionet në tre, katër, pesë apo gjashtë muajt e ardhshëm. Ne, për fat të keq, nuk e dëgjuam atë plan. Nuk dëgjuam as plan, as program. Dhe kjo është shqetësuese”, tha Djedovic Handanoviq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Ajo theksoi se plani i partnerëve rusë ishte të prisnin që të përfundonte lufta në Ukrainë dhe të arrihej një marrëveshje mes Rusisë dhe SHBA-së, dhe se kjo do të ndikonte në sanksione.

“Por ne jemi dëshmitarë që kjo nuk ndodhi, se sanksionet janë vendosur,” tha ajo.

Ministria e Energjetikës nuk iu përgjigj pyetjeve të RSE-së se si do të ndikojë mungesa e një kontrate afatgjatë për gazin dhe sanksionet ndaj NIS-it në ngrohjen në Serbi.

Një përgjigje në lidhje me marrëveshjen e gazit nuk erdhi as nga Srbijagas, kompania për transportin, ruajtjen, shpërndarjen dhe tregtimin e gazit natyror.

‘Lajme të këqija’ në prag të sezonit të ngrohjes

Lajmet e këqija në fushën e energjetikës vijnë në prag të fillimit të sezonit të ngrohjes në Serbi, më 15 tetor.

Zyrtarët serbë prisnin një marrëveshje të re trevjeçare me kompaninë ruse Gazprom për importin e 2.5 miliardë metra kub gaz në vit. Kontrata e mëparshme dhjetëvjeçare skadoi në maj.

Megjithatë, pala ruse vendosi ta kufizojë kontratën vetëm deri në Vitin e Ri.

Shumica e amvisërive që ngrohen me ngrohje qendrore (sisteme të lagjes) përdorin gazin si burim energjie, thuhet në raportin e Agjencisë Shtetërore për Energjetikë.

Kompania “Beogradske elektrane” (Termocentralet e Beogradit) në përgjigjen e saj për RSE-në theksoi se për ngrohje përdor primarisht gazin (98.46 për qind), dhe shumë më pak burime të tjera energjie si qymyri dhe mazuti.

Nuk iu dha një përgjigje e qartë në pyetjen e RSE-së nëse sanksionet ndaj NIS-it do të ndikonin në furnizimin me mazut, meqenëse mazuti fitohet nga nafta.

“Beogradske elektrane ka për detyrim, sipas Ligjit për Energjetikë, të sigurojë rezerva të energjentit zëvendësues – mazutit për 15 ditë mesatare ngrohjeje. Këto rezerva janë tashmë të siguruara”, shkruhet në përgjigje.

Gazi përdoret kryesisht nga industria në Serbi (64 për qind), dhe një pjesë më e vogël nga amvisëritë dhe ngrohtoret, tregon raporti i Agjencisë për Energjetikë.

Gazi dhe mazuti përdoren në një masë më të vogël edhe për prodhimin e energjisë elektrike në Serbi.

Nga Elektroprivreda Srbije (Ndërmarrja Elektrike e Serbisë) RSE-së nuk i arriti përgjigje në pyetjet se si do të ndikojnë problemet me NIS-in dhe marrëveshjen e gazit.

Serbia ‘ndërmjet dy zjarresh’

Ekonomisti Ljubodrag Saviq beson se Serbia nuk do të përballet me mungesa të gazit, sepse interesi i Serbisë dhe Rusisë është i njëjtë në këtë pikë.

“Nëse Serbia respekton interesin rus (në NIS), nuk ka asnjë shans që marrëveshja e gazit të mos zgjatet pas Vitit të Ri,” beson ai.

Saviq shton se interesi i Rusisë është të shesë gaz, por se ka një interes edhe më të madh që është politik, në pjesën që ka të bëjë me NIS-in.

Kur bëhet fjalë për pjesën politike të marrëdhënieve me Rusinë, Serbia, madje as tre vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, nuk është harmonizuar me sanksionet perëndimore kundër Moskës, pavarësisht thirrjeve dhe paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian, anëtarësimin e të cilit e synon Serbia, dhe Shtetet e Bashkuara.

Varësia nga energjentët rusë ishte një nga argumentet për një qëndrim të tillë.

Saviq beson se pas sanksioneve të SHBA-së fshihet qëllimi për të zvogëluar ndikimin rus në botë dhe se në shënjestër është gjetur Serbia.

Që nga janari, kur NIS u vendos në listën e kompanive të sanksionuara, SHBA-ja e ka shtyrë zbatimin e sanksioneve tetë herë, herën e fundit deri më 8 tetor.

Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS-it është ndryshuar disa herë, por ende mbetet në pronësi kryesore të kompanive ruse.

Vuçiq e hodhi poshtë mundësinë e nacionalizimit të NIS-it qysh në janar, duke shtuar se Serbia “nuk do të marrë pjesë në rrëmbimin e pronës ruse”.

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së në Serbi, Alexander Titolo, deklaroi më 9 tetor se sanksionet amerikane ndaj NIS-it nuk janë drejtuar kundër popullit serb, por qëllimi i tyre është të ushtrojnë presion financiar ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ai tha se të ardhurat nga NIS-i financojnë makinerinë luftarake të Kremlinit, dhe se Rusia mund ta zgjidhë këtë situatë “që nesër nëse do të pranonte të shiste pjesën e saj në kompaninë NIS me një çmim të drejtë”.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harčenko, tha se Rusia është e vetëdijshme se sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj NIS-it janë një problem serioz, por se do të “bëjë gjithçka” që qytetarët të mos i ndjejnë pasojat e tyre./RSE/

Continue Reading

Previous: Rusia ofron energji bërthamore për Serbinë
Next: Inteligjenca britanike MI5 paralajmëron politikanët se janë shënjestra të spiunazhit rus dhe kinez

Inteligjenca britanike MI5 paralajmëron politikanët se janë shënjestra të spiunazhit rus dhe kinez 3 min read
  • Lajme

Inteligjenca britanike MI5 paralajmëron politikanët se janë shënjestra të spiunazhit rus dhe kinez

The Geopost October 15, 2025
Rusia ofron energji bërthamore për Serbinë 2 min read
  • Lajme

Rusia ofron energji bërthamore për Serbinë

The Geopost October 14, 2025
Oficeri i policisë së Brukselit që kishte akses te diplomatët akuzohet për spiunazh 1 min read
  • Lajme

Oficeri i policisë së Brukselit që kishte akses te diplomatët akuzohet për spiunazh

The Geopost October 13, 2025
Roja Kufitare Estoneze: Grupe të armatosura ruse shihen në Saatse Boot 5 min read
  • Lajme

Roja Kufitare Estoneze: Grupe të armatosura ruse shihen në Saatse Boot

The Geopost October 13, 2025
Aeroplani britanik i zbulimit RAF fluturon në mision 12-orësh përgjatë kufirit rus 2 min read
  • Lajme

Aeroplani britanik i zbulimit RAF fluturon në mision 12-orësh përgjatë kufirit rus

The Geopost October 13, 2025
Inteligjenca amerikane ndihmoi në udhëzimin e sulmeve nga Kievi që dëmtuan prodhimin rus të naftës – thonë zyrtarët 3 min read
  • Lajme

Inteligjenca amerikane ndihmoi në udhëzimin e sulmeve nga Kievi që dëmtuan prodhimin rus të naftës – thonë zyrtarët

The Geopost October 13, 2025

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.