Evropa është treguar e ngadalshme karshi Ballkanit, qasje kjo që e ka dëmtuar Kosovën por edhe vetë Bashkimin Evropian. Kështu thotë në një intervistë për The Geopost, ish-diplomati Sylë Ukshini.
“Serbia nuk heq dorë nga Rusia pa heq dorë nga qëndrimi i saj hegjemonist”, thekson Ukshini derisa flet për lojën e shtetit serb me dy “karrige”, mes Perëndimit e Rusisë.
Deriisa flet për rolin destabilizues të Rusisë në rajon, për ndikimin e kishës ortodokse serbe në projektet hegjemoniste të Serbisë, si dhe për lojën e dyfishtë që Beogradi vazhdon ta luajë mes Perëndimit dhe Lindjes, ai bën thirrje për një qasje më të qartë dhe më të vendosur të perëndimit ndaj Ballkanit dhe veçanërisht ndaj Serbisë. Nënvizon se pa një përballje reale me të kaluarën, rajoni do të mbetet peng i politikave të vjetra hegjemoniste.
Intervista e plotë:
Ukshini: Është një profesor i Potsdamit, jo pse ka thënë ai, se edhe pa e thënë, por mua më duket interesant sepse shpesh edhe në analizat që bëhen sot, kam përshtypjen që gjërat njerëzit i shohin shkurt. Dhe ai thotë që, pa i njohur zhvillimet e shekullit XIX mirë, nuk mund t’i zbërthesh disa probleme aktuale. Edhe pyetja juaj e ka këtë ndërlidhje. Dhe përpjekja e Rusisë për t’u zgjeruar drejt Azisë, humbja e luftërave me Japoninë, i lë vetëm një zgjidhje Rusisë: që ose përmes Bosforit ose përmes Ballkanit të dalë në Mesdhe. Dhe meqë te Bosfori kishte Perandorinë Osmane, përkatësisht mbrapa saj ishin edhe interesat për ngushticat e vetë Britanisë së Madhe, përqendrimi i Rusisë do të bëhet në Ballkan. Dhe pikë kthese ose momenti kur fillon ndikimi i saj të ndihet në Ballkan, pa diskutim është kriza lindore 1875-1878. Dhe kjo është ajo pikënisja ku Rusia kërkon klientelë në Ballkan. Dhe një nga klientelat e saj më të favorshme është Serbia dhe përmes Serbisë provon domethënë që të dalë në Adriatik.
Dhe këtu lind ideja e ekspansionit territorial. Dhe natyrisht në këtë ndeshje është edhe Austro-Hungaria. Mirëpo, çështja ka qenë që në atë kohë, duke qenë që koncepti evropian, raportet evropiane nuk ishin sikur që janë tani, Rusia ka arritur të gjejë edhe brenda fuqive të mëdha aleatë, e ka gjetur Francën, e ka gjetur Britaninë e Madhe dhe nisur nga kjo premisë, ka mund t’i realizojë interesat e veta një pas një. Edhe në konferencën e Shën Stefanit, edhe Kongresin e Berlinit, më pas edhe në Konferencën e Londrës. Dhe pikërisht Konferenca e Londrës është momenti kur Serbia ka krijuar çështjen e Kosovës, Rusia, duke mbështetur Serbinë, domethënë pretendimet e saj territoriale.
Një gjë që s’ka mundur ta realizojë në atë kohë, për shkak se ka hasur në rezistencën e fuqishme të Austro-Hungarisë, ka qenë dalja e Serbisë në detin Adriatik. Synimi ka qenë që përmes Serbisë tëkrijohet një linjë, të krijohet një kanal i depërtimit të Rusisë. Dhe kampërshtypjen që këtu e kanë pasur qartë dhe ka qenë edhe vetë kujdesi iEduard Greit, ministrit të Jashtëm të atëhershëm të Britanisë sëMadhe, i cili në një farë mënyre me qëndrimin e tij neutral, por që nuke ka mbështetur Rusinë atëherë që është quajtur në kuadrin e Antantës, ka bërë që Rusia të mos dalë. Mirëpo, nëse këto probleme në Ballkan janë të trashëguara nga shekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX, në fakt janë pikërisht për shkak të pozicionit klientelist dhe hegjemonist që ka pasur ose ideja pansllaviste që ka qenë e projektuar në Moskë dhe e zbatuar pastaj nga Beogradi.
The Geopost: Këtë idenë pansllaviste e përmendi edhe në vizitën e fundit që i bëri Patriarku i Serbisë Irinej, në takimin me Patriarkun e Moskës dhe Kirilin dhe në takim me Putinin. Si e shihni ndikimin e kishës ortodokse dhe sa e ka shfrytëzuar Rusia ndikimin e vet përmes kishës ortodokse në Ballkan?
Ukshini: Mua ndonjëherë më habisin diplomatët e rinj evropianë. Nuk e njohin mirë rolin, segmentin e kishës ortodokse. Edhe në kuadër të Perandorisë Osmane, ka pasur një lloj koalicioni, një lloj bashkëpunimi të Kishës Ortodokse Ruse dhe serbe për realizimin e synimeve hegjemoniste, sepse gjithëherë kisha ortodokse e ka identifikuar çështjen nacionale me çështjen fetare. Dhe edhe në luftërat e viteve ’90 të shekullit të kaluar, kisha ka qenë në shërbim të politikës. Dhe edhe në Rusi është e njëjta gjë që vlen. Dhe mbi këto premisa, edhe kisha serbe sot që pretendon për, për të arritur koncesione të reja në Kosovë, nuk ka të bëjë me çështjen e të drejtave serbe, por ka synimin për ta çmontuar shtetin e Kosovës dhe për ta realizuar idenë e Serbisë së Madhe. Sepse, siç e thotë një historiane serbe, Latinka Peroviç, ekzistenca e shtetit të Kosovës domethënë është pengesë për idenë e Serbisë së Madhe. Dhe në këtë kontekst, kisha serbe është një instrument i fuqishëm ose instrumenti i tretë, krahas elitave politike, instrumenti i tretë që i shërben projektit të shtetit të madh. Dhe kështu ka qenë edhe në kohën e Millosheviqit, kështu ka qenë edhe në periudhat e mëhershme, sa që, mitet nacionaliste dhe luftat ose indoktrinimi, kontaminimi i opinionit publik në Serbi, bëhet në mënyrë permanente nga kishat serbe, të cilat në vend të lutjeve për Zotin dhe për shërbesat fetare, ata kanë shërbesa ideologjike, politike, hegjemoniste. Dhe kisha thjesht është një instrument politik që i shërben politikave ekspansioniste.
Dhe ju e patë edhe në deklaratën e fundit, patriarku serb nga Kosova, ai flet për gjëra të paqena, sepse këtu kemi edhe prezencë ndërkombëtare, por njëkohësisht ai flet edhe me mesazhet e Vuçiqit, që Vuçiqi do të vijë dhe nuk do e dëgjojë Evropën.
Por unë mendoj që nuk është krejt faji as te kisha serbe, as te Rusia. Unë mendoj që sjellja evropiane ka qenë tepër e ngadalshme karshi Ballkanit. Më duhet ta pranoj që Bashkimi Evropian po flet që 35 vite mbas rënies së murit të Berlinit për integrim evropian. 45 vjet ka zgjatur Lufta e Ftohtë. 35 vjet janë hapësirë e madhe, Bashkimi Evropian ka ecur me hapa të breshkës, dhe këtu ka krijuar një hendek të cilin e ka shfrytëzuar Rusia për mrekulli. Hendekun e njëjtë Rusia e ka shfrytëzuar edhe në rastin e Kosovës, ku disa vende të Bashkimit Evropian, duke mos e përkrahur Ahtisarin, duke mos e përkrahur pavarësinë, në fakt e kanë minuar suksesin e perëndimit në Ballkandhe në Kosovë. Dhe unë shpesh them që kjo qasje e vendeve të BE-së, sa e ka dëmtuar Kosovën, e ka dëmtuar edhe vetë pozicionin e Bashkimit Evropian. Kjo situatë që krijohet, kjo paqëndrueshmëri që krijohet, në fakt duhet kërkuar përgjegjësinë edhe te Brukseli, sepse Brukseli gjithëherë ka ndjekur politika klienteliste në Ballkan dhe Serbia nuk është ndihmuar që ta ketë një përballje reale me të kaluarën. Dhe mbi këtë bazë, shikoni, vetëm fakti që neve na imponohet në kampusin e universitetit me mbajt një kishë të cilën e ka inauguruar Arkani. Unë s’kam asgjë ndaj objekteve kishtare, po ajo është një kishë e Arkanit ose e Millosheviqit.
Dhe çfarë kërkon një objekt i kultit brenda një kampusi të universitetit? Dhe ju kurrë nuk e keni parë kishën serbe duke u distancuar, një pozicion distancues nga ajo që thuhet që kisha është bërë pa interesin tonë, pa mision fetar, ka pasur synime për t’i fyer, për t’i injoruar shqiptarët.
Unë mendoj që, siç thotë një autor i huaj, kisha ortodokse serbe ka qenë edhe qendër e antisemitizmit. Dhe vetë krijimi i shtetit serb dhe zgjerimi nga Pashallëku i Beogradit, është nisur mbi këto premisa: spastrimin etnik, luftimin e pakicave dhe mbi të gjitha këto dhe mbrapa këtij projekti në mënyrë permanente, në mënyrë kontinuale ka qenë kisha serbe, e cila natyrisht që ka pasur përkrahjen edhe të Kishës Ortodokse Ruse dhe qarqeve politike ruse në Moskë.
The Geopost: Kemi tani ndryshime të mëdha që po ndodhin në botë. Serbia me lojën e saj të dyfishtë në pozicion me Perëndimin, Rusinë dhe Kinën, nganjëherë shihet si pozitive nga Perëndimi, mirëpo nga këndi ynë duket më ndryshe. Ku e shihni Serbinë dhe gjithë këtë ndikim rus në Ballkan?
Ukshini: Mua më duket naivitet të pritet që Serbia do të bëhet properëndimore, sepse në themelet e ekzistimit edhe të krijimit të shtetit serb, gjithmonë kanë ekzistuar dy rryma, mes lindjes dhe perëndimit, dhe kanë bërë një luftë permanente, por gjithëherë këtu janë përdorur për të marrë privilegje dhe për të marrë bonuse si nga lindja, si nga perëndimi.
Unë mendoj që Serbinë duhet ta lënë të lirë të zgjedhë për ku po don. Kjo lutja që ia bëjmë, mua më vjen keq, por Serbia e shfrytëzon në mënyrën më brutale. E pashë edhe në një dokument të viteve ’90, të Ministrisë së Jashtme gjermane, si duhet t’i qasen Serbisë. Ishte gjatë luftës së Bosnjës dhe okupimit në Kosovë.
Edhe atëherë kishte pothuaj të njëjtën metodologji Perëndimi. Duhet ta afrojmë Serbinë, se është vend i rëndësishëm në Ballkan, që të mos shkojë nga Rusia. Dhe shikoni tash, tri dekada më vonë, akoma jemi në këtë retorikë. Unë mendoj që çështja është që duhet ta njohin vullnetin e shqiptarëve për të qenë pjesë e proceseve euroatlantike dhe për t’u integruar. Ndërkaq, të njëjtën kohë Serbisë mund t’i bëhet e qartë që ju mund të shkoni andej. Unë mendoj që duke ofruar një perspektivë të qartë euroatlantike për Kosovën, Serbisë më shumë i jep një mesazh që vendet që zgjedhin këtë rrugë mund të kenë një progres. Por, nëse Serbisë i hap kapituj një pas një, pa asnjë detyrim, ndërkaq viktimës sikur është Kosova i vë sanksione, natyrisht që kjo nuk i kontribuon që ajo të ndjekë një politikë pragmatizmi drejt perëndimit.
Krejt çfarë ka ndjekur, unë mendoj që ka qenë politikë klienteliste dhe një politikë që kanë luajtur me kartën politike. Të njëjtën gjë e pashë edhe në dokumente konfidenciale gjermane, e ka luajtur edhe Tadiçi, që nëse, nëse nuk më përkrahni mua, do të vijnë fryma ekstremiste.
Të njëjtën gjë e përdor edhe Vuçiqi. ‘Më përkrahni mua se do të vijnë edhe më radikalë se unë.’ Dhe historikisht, historia e Serbisë ka operuar, ose krejt historia është zhvilluar mbi këto shina, duke luajtur ose duke përdorur dy karta, edhe perëndimin, edhe lindjen. Por një gjë duhet ta kemi të qartë: Serbia nuk heq dorë nga Rusia pa heq dorë nga qëndrimi i saj hegjemonist. Dhe mbi këtë bazë, qëndrimi i Perëndimit, i heshtur ndaj kësaj doktrine, (për mua është qëndrim i heshtur), mua më duket që është i gabuar. Sepse, nëse e shohim ngjarjen e vitit 1914, si ka ndodhur atentati në Sarajevë, Lufta e Parë Botërore, e shohim edhe rastin e Banjskës, ty të duket që po i lexon aktet e sotshme të Vuçiqit. Thirrja e ambasadorit, thirrja e Rusisë, viktimizimi i serbëve, domethënë është një metodologji dhe një kalendar i njëjtë mbi të cilin operon politika serbe.
/The Geopost

Besa Luci në The Geotalks: Si ndodh manipulimi përmes emocioneve, propaganda, AI dhe ndikimi në Kosovë
Nis “The Geotalks” në The Geopost: Besa Luci flet për propagandën dhe rrezikun e dezinformimit
Bursaç për Geopost: Vuçiq nuk do t’i kthejë kurrë shpinën Putinit – Ballkani rrezikon të mbetet peng i botës ruso-serbe
“Ballkani, peng i narrativave të vjetra historike”, historiani gjerman: Kosova shembull i transformimit të shpejtë
Danchenkova: Ukraina po lufton dy fronte – sulmet ruse dhe luftën e dezinformimit
Gazetarja polake: Rusia shfrytëzon ndasitë e brendshme për të përhapur dezinformimin