Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka dezinformuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur tensione të reja me vizitën e tij në katër komunat veriore të Kosovës. Ai gjithashtu ka dezinformuar se gjoja me këtë rast serbët në veri kanë reaguar kundër vizitës së Kurtit.
Çka deklaroi Petkoviq?
“Serbët e veriut reaguan me përbuzje ndaj provokimit të ri të Kurtit. Vetëm një ditë para vazhdimit të dialogut në Bruksel, Albin Kurti ka vendosur të ngrejë tensione të reja në veri të Kosovës, duke shkuar në Komunën e Leposaviqit, e më pas në Zubin Potok. Bëhet fjalë për një kërcënim të ri ndaj serbëve në veri të Kosovës, veprim me të cilin Kurti dëshiron drejtpërdrejt të shkaktojë tensione të reja në veri dhe me të cilin ka treguar se nuk është i interesuar për asnjë normalizim dhe deeskalim. Më lejoni të jem i qartë – Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Kosovës ku nuk është i mirëpritur. Si çdo mysafir i paftuar, edhe Kurti është dashur të rrethohet me falangat e forta policore me gypa të gjatë që e shoqëruan kur u largua nga Komuna e Leposaviqit, e cila është duke u udhëhequr me dhunë dhe terror e nga Vetëvendosje me më pak se 100 vota”.
Analiza:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar për t’iu ofruar mbështetjen e Qeverisë kryetarëve të komunave në Veri për shërbimet që ato i japin për të gjithë qytetarët pa dallim. Petkoviq dezinformon kur tha se Kurti shkoi atje për të ngritur tensione sepse vizitat e tij ishin të fokusuara te kryetarët e komunave. Gjithashtu, Petkoviq propagandon kur thotë se serbët reaguan kundër vizitës së tij, ndërsa asnjë qytetar nuk u pa duke reaguar apo protestuar kundër tij. Madje, kryeministri i Kosovës u prononcua në serbisht në pyetjet e gazetarëve për çështjet që i shqetësojnë qytetarët në atë pjesë të vendit.
Petkoviq edhe në rastin kur thotë se “Leposaviqi po udhëhiqet me dhunë dhe terror” dezinformon sepse nuk ka pasur dhunë nga pushteti komunal të ushtruar ndaj ndonjë qytetari. Në maj të vitit të kaluar kryetarë shqiptarë morën pushtetin në katër komunat veriore vetëm pas bojkotimit të zgjedhjeve nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë./G.Venhari-The Geopost-

Si dezinformon Sputnik për praninë e NATO-s në Kosovë
MPJ ruse dezinformon se Britania po e shtyn Evropën në luftë me Rusinë
RT Balkan dezinformon për serbët në Kosovë përmes narrativës propagandistike për barrikadat
RT Ballkan dezinformon për FSK-në dhe armatosjen e Kosovës
Clickbait në titullin e RT Balkan: Shkrimi i grafiteve paraqitet si “maltretim”, ndonëse nuk ka hetim për autorin
Mojsilloviq dezinformon për marrëveshjen mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë