Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po viziton Gjermaninë dhe Francën për të zhvilluar takime në NATO dhe për çështjet e tregtisë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Finlanda ka deklaruar ndërkohë se dëshiron të anëtarësohet në NATO për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë. Rusia ka paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet kësaj lëvizjeje që e quan armiqësore.
Ndërsa forcat ruse vazhdojnë të vrasin civilët në Ukrainë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të takohet të dielën me aleatët e NATO-s në Berlin, përpara se të vizitojë Parisin ditën e hënë.
Takimi i NATO-s në Berlin ka gjasa të fokusohet të konfirmimi i udhëheqësve të Finlandës se dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s pa vonesë, për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë. Suedia gjithashtu po shqyrton marrjen e një vendimi të ngjashëm.
“Mendoj se nuk ka ndonjë pikëpyetje, siç e keni parë nga deklaratat e ndryshme të udhëheqësve të NATO-s, se do të ketë mbështetje të gjerë nga vendet anëtare të NATO-s për Finlandën dhe Suedinë”, tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të premten se kundërshton anëtarësimin e dy vendeve skandinave në NATO, duke i akuzuar ato se strehojnë militantët kurdë.
Ministri i jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha se shpreson të ketë mundësinë që ta diskutojë këtë çështje të dielën në Berlin me homologun turk.
Ministria e jashtme ruse paralajmëroi se anëtarësimin e Finlandës apo Suedisë në NATO do ta shikonte si një kërcënim ndaj sigurisë së saj dhe se do të kundërpërgjigjej.
Ekspertët i thonë Zërit të Amerikës se një anëtarësim i Finlandës në NATO do të ndryshojë rendin e sigurisë në Evropë, si për NATO-n ashtu edhe për Rusinë.
“Është një vijë e gjatë kufitare dhe do ta afrojë NATO-n shumë pranë Shën Petërburgut. Njëkohësisht do t’i japë NATO-s më shumë territor që duhet ta mbrojë pranë kufirit rus. Këto janë hapa dhe ndryshime të mëdha”, thotë Michael Kimmage, nga Fondi Gjerman Marshall.
Sekretari Blinken gëzon popullaritet në Gjermani dhe pritet ta inkurajojë Berlinin që të shkëputet nga energjia ruse dhe që t’i ofrojë më shumë armatime të rënda Ukrainës.
“Pala amerikane mund të ushtrojë ndikim që Gjermania të shkëputet nga gazi dhe nafta ruse. Nuk do të ndodhë menjëherë, por gradualisht”, thotë zoti Kimmage.
Vizita e Sekretarit Blinken në Paris të hënën do të jetë e para që nga rizgjedhja e Presidentit francez Emmanuel Macron, një zhvillim që perceptohet si jetik për unitetin transatlantik në mbështetje të Ukrainës./Zëri i Amerikës

“Radar” publikon dokumentet ekskluzive të mbikëqyrjes sekrete të kritikëve të Vuçiqit nga BIA
Vuçiq fali 49 persona para largimit nga presidenca, në listë ish-zyrtarë dhe persona të përfshirë në incidente
“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s
Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë