Ukraina po boton një “Libër të Ekzekutuesve”, një sistem për të mbledhur provat e krimeve të luftës që Kievi thotë se janë kryer gjatë okupimit nga Rusia, tha të martën presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, raporton Reuters.
Prokurorët ukrainas thonë se kanë regjistruar më shumë se 12,000 krime lufte të dyshuara që përfshijnë më shumë se 600 persona të dyshuar që kur Kremlini filloi ofensivën e tij më 24 shkurt.
“Javën e ardhshme, do të lansohet një botim special – “Libri i Ekzekutuesve” – një sistem informacioni për të mbledhur konfirmimin e të dhënave për kriminelët e luftës, kriminelët nga ushtria ruse”, tha Zelenskiy në një video adresim.
Zelenskiy tha se ky do të ishte një element kyç në zotimin e tij të gjatë për të sjellë para përgjegjësisë ushtarakët rusë që kanë kryer ato që autoritetet ukrainase i kanë përshkruar si vrasje, përdhunime dhe plaçkitje.
“Këto janë fakte konkrete, për individë konkretë, fajtorë për krime konkrete mizore kundër ukrainasve”, tha Zelenskiy.
Ai përmendi periferinë e Kievit, Bucha, ku hetuesit gjetën atë që ata thonë se është dëshmi e ekzekutimeve masive.
Rusia thotë se ka bërë gjithçka për të shmangur shënjestrimin e civilëve në “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë. Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë në mënyrë specifike fotot e ngjarjeve në Bucha si “fabrikime” të organizuara nga autoritetet ukrainase pasi forcat ruse u larguan nga qyteti në fund të marsit.