Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë hyri në muajin e saj të katërt, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili refuzoi të dënonte në mënyrë eksplicite pushtimin rus të Ukrainës, e vendi i tij nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, gjatë bisedimeve me homologun e tij aleat, Vladimir Putin, të dielën tha se siguroi një marrëveshje “jashtëzakonisht të favorshme” për gazin natyror me Rusinë.
Marrëveshja e gazit pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd në fillim të qershorit – një vizitë e rrallë nga një zyrtar i lartë rus në një vend evropian që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
Serbia është pothuajse plotësisht e varur nga gazi rus dhe kompanitë e saj kryesore të energjisë janë në pronësi të shumicës ruse.
Presidenti serb vlerësoi edhe një herë çmimin e favorshëm të gazit rus.
“Dhe ajo që mund të them është se ne kemi rënë dakord për elementët kryesorë që janë shumë të favorshëm për Serbinë. Ne ramë dakord të nënshkruajmë një kontratë trevjeçare, që është elementi i parë i kontratës dhe mendoj se i shkon shumë për shtat palës serbe. Një element tjetër i rëndësishëm është se formula që ne përdorim do të mbetet e njëjtë (formula e naftës), kështu që çmimi do të jetë shumë i favorshëm për vendin tonë”, tha Vuçiq.
Ai saktësoi se çmimi i gazit për Serbinë, sipas formulës së dakorduar, do të varet nga çmimi i naftës, dhe se edhe kur nafta është më e shtrenjta, çmimi i gazit që paguan Serbia do të jetë nga 310 deri në 408 dollarë për njëmijë metra kub gaz.
“Nëse mund ta them këtë dhe nëse e kuptojmë të gjithë këtë nga marrëveshja me Putinin, do të kemi një dimër të sigurt për furnizimin me gaz”, tha Vuçiq, duke theksuar se çmimi i gazit që ka rënë dakord me presidentin rus është trefish më i ulët – dhe në dimër, siç tha ai, do të jetë edhe dhjetë herë më pak se sa paguajnë vendet e tjera evropiane.
Me sa duket, tani është shumë e qartë pse Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe pse qëndroi neutrale ndaj agresionit rus dhe mbylli sytë para vuajtjeve të civilëve dhe viktimave të pafajshme në Ukrainë. Është më me rëndësi që për qytetarët e saj “të sigurojë dimër të ngrohtë” dhe çmimin e favorshëm të gazit, dhe ndoshta disa armë të tjera ruse, sesa t’i bashkohen sanksioneve dhe kështu të dënojnë pushtimin më të urryer dhe të paprovokuar rus të Ukrainës.
Në një bisedë me Putinin, Vuçiq ka shfrytëzuar edhe një herë hapësirën gjeografike të Serbisë, duke thënë se është një vend i vogël për të zgjidhur problemin e Rusisë dhe Ukrainës.
Ai shtoi se kishte marrë miratimin nga Putin se mund ta bënte këtë sa herë që ndjente nevojën për të folur me të.
Pas bisedimeve mes Vuçiqit dhe Putinit, Kremlini lëshoi një deklaratë ku thuhet se dy presidentët konfirmuan dëshirën e Rusisë dhe Serbisë për të forcuar partneritetin strategjik “të bazuar në lidhjet tradicionalisht të ngushta midis popujve të dy vendeve”.
Sipas një komunikate nga Kremlini, Vuçiq dhe Putin kanë biseduar për situatën në Ukrainë dhe ngjarjet në lidhje me Kosovën.
“Këmbimi i mendimeve për një sërë temash ndërkombëtare vazhdoi – siç është situata në Ukrainë dhe zhvillimi i ngjarjeve rreth Kosovës”, tha Kremlini.
Serbia, e cila synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kohët e fundit është nën presion nga vendet perëndimore për të lidhur politikën e saj të jashtme me bllokun dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Pavarësisht raporteve për krime në Ukrainë për shkak të pushtimit, Vuçiç dhe udhëheqës të tjerë serbë po ankohen për presionin nga Perëndimi për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Zyrtarët serbë thonë se vendi ballkanik duhet t’i rezistojë një presioni të tillë, edhe nëse ai do të thotë të braktisë synimin për t’u bashkuar me BE.
Nën sundimin autokratik dhjetëvjeçar të Vuçiqit dhe propagandën e pamëshirshme pro-Kremlinit, Serbia gradualisht është afruar me Rusinë dhe ky fakt s’ka ndryshuar deri më sot./The Geopost