Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, për të folur për Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe për “sanksionet e paralajmëruara” të SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).
Vuçiq tha se me Lavrov pati “një bisedë shumë e mirë dhe domethënëse” dhe pretendoi se Kosova po tenton t’ia mohojë partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Nga ministri Lavrov, si përfaqësues i një shteti anëtar të OKB-së, mësova se Prishtina, në kundërshtim me të gjitha aktet e së drejtës publike ndërkombëtare, po tenton që Lista Serbe të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
Megjithatë, ky vendim nuk është final meqë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të mund ta shqyrtojë këtë.
Vuçiq tha se me Lavrovin ka folur edhe për Bosnjën e Hercegovinën duke pretenduar se janë pajtuar që Marrëveshja e Dejtonit e ruan paqen dhe stabilitetin në këtë shtet. Por, edhe Beogradi edhe Moska i japin mbështetje të plotë veprimeve separatiste kundër Marrëveshjes së Dejtonit të presidentit nacionalist të Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik.
“Ne diskutuam dhe shprehëm së bashku shqetësimin për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republika Srpska dhe ramë dakord se pajtueshmëria e plotë me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit është mënyra më e mirë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq në mes të dhjetorit njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione “brenda pak ditësh” ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se kompanitë ruse gëzojnë shumicën e aksioneve të saj.
Për këtë temë tha se foli me Lavrovin duke paralajmëruar se do të bashkëpunojë me rusët për këtë çështje.
“Tema e bisedës ishin sanksionet e paralajmëruara ndaj NIS dhe u organizua takimi i ekspertëve nga Serbia dhe Rusia sapo të njoftohen sanksionet amerikane”.
“Biseduam edhe për të gjitha çështjet tjera të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh, konfirmuam miqësinë mes vendeve tona dhe shprehëm besimin se me angazhimin tonë më të madh mund ta rrisim shkëmbimin tregtar ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, ka shkruar Vuçiq.
Serbia vazhdon të dakordohet me Rusinë mbi çështjet kryesore pavarësisht paralajmërimeve dhe shqetësimeve për moskoordinim të politikës së jashtme nga Bashkimi Evropian ku zyrtarisht thotë se dëshiron të anëtarësohet./The Geopost/