
Pas vizitës në Kosovë, delegacioni amerikan i kryesuar nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Azi, Karen Donfried, ka vizituar Serbinë, ku ka zhvilluar një takim me liderin e atij vendi, Aleksandar Vuçiq. Përveç çështjeve aktuale gjeopolitike si agresioni rus në Ukrainë, në takim është diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në deklaratën e shkurtër të Presidencës së Serbisë pas bisedës ndërmjet Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Presidentit të Serbisë, vetëm në një gjysmë fjalie përmendet ajo që ishte në tavolinë si çështje kryesore: qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.
As pas bisedimeve me senatorët amerikanë, të cilët gjithashtu vizituan disa vende të Ballkanit Perëndimor javën e kaluar, por as pas takimit me Donfried, Vuçiç nuk mbajti një konferencë shtypi për të informuar më qartë publikun se çfarë u diskutua në takim dhe nëse e ka shprehur qëndrim e tij gjatë takimit me Donfried për çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Gjithashtu, Donfried nuk iu drejtua mediave, gjë që sigurisht ishte kërkesë e mikpritësve.
Gjatë bisedimeve për dialogun dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Vuçiq akuzoi zyrtarët e Kosovës për mospërmbushje të dispozitave të marrëveshjes së Brukselit.
“Pala jonë i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina me këmbëngulje i shmanget zbatimit të saj. Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe Planit Zbatues, nuk ka filluar themelimi i Unionit të Komunave Serbe”, theksoi Vuçiq.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë, Vuçiq në takim ka thënë se bashkëpunimi në rajon është në interes të Serbisë.
“Është me interes të rëndësishëm për Serbinë që të ruajë stabilitetin në rajon dhe në këtë kuptim, përmirësimi i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë dhe dobisë reciproke është një pikënisje themelore dhe e pandryshueshme e politikës së jashtme të vendit tonë”, tha Vuçiq.
Kujtojmë se Donfried pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i bashkohen dialogut në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së sepse status quo-ja është e paqëndrueshme dhe se situata aktuale e dialogut i përshtatet më së shumti Rusisë.
“Rusia dëshiron të shkatërrojë të gjithë unitetin dhe konsolidimin demokratik në Ballkanin Perëndimor”, tha Donfried pas takimit me Kurtin.
Duke përshëndetur nismën “Ballkani i Hapur” dhe synimin e Serbisë për të vënë çështjet ekonomike në fokus të bashkëpunimit rajonal, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se kjo nismë paraqet një mundësi për të promovuar më tej potencialin investues të rajonit./The Geopost