
Barrikadat në veri të Kosovës, vendosjen e ushtrisë serbe në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake në kufirin e Kosovës me Serbinë, sirenat, dezinformatat, reklamat nga Rusia shënuan shtatorin e vitit 2021, një skenar i ngjashëm ndodhi edhe këtë vit në veri të Kosovës kur serbët vendas për shkak të aplikimit të reciprocitetit me Serbinë kanë bllokuar të gjitha pikat kufitare dhe rrugët që të çojnë në to.
Besimi në ombrellën mbrojtëse ruse ushqehet nga vetë Moska. Ndërkohë që zyrtarët perëndimorë dhe Bashkimi Evropian bënë thirrje për qetësimin e tensioneve për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, Rusia i dërgoi mesazhe mbështetjeje Serbisë, të cilave Beogradi iu përgjigj me mirënjohje.
Një ditë pas qetësimit të tensioneve në veri të Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar në Beograd me ambasadorin rus Aleksandar Bocan-Harchenko.
Të dy ata fajësuan Prishtinën për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Gjithashtu, Rusia dëshiron të fusë hundët në veri të Kosovës, dëshmojnë edhe ngjarjet e fundit që ndodhën në fund të kësaj jave, kur Policia e Kosovës arrestoi rusen Daria Aslamova, korrespondente e të përditshmes ruse “Komsomolskaya Pravda”.
Aslamova punoi në Ukrainë si korrespondente lufte për kanalin propagandistik rus Tsargrad. Ajo është parë si gazetare në shumë zona lufte, duke përfshirë Çeçeninë, Abkhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.
Gjatë karrierës së saj, ajo intervistoi ish-presidentin irakian Saddam Hussein dhe presidentin sirian Bashar al-Assad.
Ajo tentoi të hynte në Kosovë disa ditë pas heqjes së barrikadave, dhe sipas redaktorëve të saj, ajo aktualisht ndodhet në Rashkë (qytet në Serbi afër pikës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë).
Përderisa barrikadat në veri bllokuan pikat kufitare dhe trafikun, dezinformatat në mediat serbe në Kosovë dhe në Serbi të financuara nga Beogradi zyrtar nuk u bllokuan, por qarkulluan gjatë gjithë kohës… Vetëm ditët e fundit, në mediet serbe, shihet se serbët në veri të Kosovës po “përjetojnë” terror nga Policia e Kosovës, janë theksuar kërcënime, rrëmbime, arrestime dhe tortura të serbëve, por të gjitha këto mbishkrime janë mohuar shpejt.
Gjatë kohës sa zgjatën tensionet, portali propagandistik ka shkruar kështu: “KUNDËR SERBISË PO BËHET LUFTË HIBRIDE. Tensionet në Kosovë po rriten edhe më shumë, ja çfarë e pret popullin tonë nga 1 shtatori”, “Shqiptarët po lëvizin me tuba të gjatë. Forcat speciale të ROSU janë nisur drejt veriut të Kosovës, kanë edhe topa uji”, “Shoferit të ambulancës i kanë humbur të gjitha gjurmët që kur është rrëmbyer nga njësitet ROSU”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka një muaj që po shkakton panik me një “stuhi të re” në Kosovë. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për zbatimin e vendimeve që janë nënshkruar në Bruksel dhe që zbatohen në komunat me shumicë serbe që nga viti 2011, kur është fjala për veriun e Kosovës dhe riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale në RKS, për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është edhe një herë – paralajmërim për gjakderdhje.
Ai afat “do të thotë se [autoritetet e Kosovës] po planifikojnë një sulm të përgjithshëm në veri të Kosovës më së largu më 1 tetor”, tha ai në fund të qershorit. Domethënë, Vuçiq e ka zakon të parashikojë një konflikt të armatosur në Kosovë, por çdo herë parashikimet e presidentit të Serbisë për alarm rezultojnë të rreme.
Nënkryetari i Listës Serbe, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i cili është ende në kërkim nga autoritetet e Kosovës, por edhe në listën e zezë të SHBA-së pas deklaratës së presidentit të Serbisë se një “stuhi e re” po vjen, përsëriti edhe një herë mesazhi propagandistik se “terrori i vërtetë ndaj serbëve në Kosovë sapo ka filluar”.
Ramzan Kadyrov, lideri çeçen, forcat ushtarake të të cilit po luftojnë në Ukrainë në anën e Rusisë, foli edhe për tensionet në veri të Kosovës.
Kadyrov ka shkruar në kanalin e tij Telegram, i cili ndiqet nga 2.6 milionë njerëz, se ndjek ngjarjet mes Serbisë dhe Kosovës, mercenari rus i Kadyrovit që mbështet agresionin kundër popullit ukrainas është i preferuari i Putinit.
Zyrtarët në Serbi kanë vënë theksin në marrëdhëniet miqësore dhe tradicionale me Rusinë dhe Putinin prej vitesh. Nga pikëpamja e Rusisë dhe pozitës së saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, konflikti në Kosovë ishte shumë i mirë për ta, kështu që një pushtim i paprovokuar i Ukrainës do të mbetej anash.