Trupat ruse kanë filluar të largohen nga termocentrali bërthamor i Çernobilit meqw u ekspozuan ndaj “dozave të konsiderueshme” të rrezatimit, pasi hapën llogore në një vend shumë të kontaminuar, tha të enjten Energoatom në pronësi të shtetit ukrainas ndërsa përleshjet u ndezën në periferi të Kievit dhe në fronte të tjera.
Energoatom nuk dha detaje mbi gjendjen e ushtarëve rusë apo sa prej tyre besohet se janë ekspozuar ndaj rrezatimit. Megjithatë, u njoftua se rusët po hapnin llogore në pyll brenda zonës së ndaluar rreth termocentralit bërthamor tashmë të mbyllur, ku ndodhi katastrofa më e rëndë bërthamore në botë në vitin 1986.
Ushtarët “filluan të panikohen në shenjat e para të sëmundjes, të cilat u shfaqën shumë shpejt” dhe po përgatiten të largohen nga Çernobili, sipas Energoatom.
Kremlini nuk e ka komentuar ende lajmin se ushtarët rusë janë ekspozuar ndaj rrezatimit.
Forcat ruse pushtuan Çernobilin në fazat e hershme të pushtimit që filloi më 24 shkurt, gjë që ngjalli frikën se mund të shkaktonin dëme ose shqetësime që mund të çonin në përhapjen e rrezatimit. Punëtorët ukrainas në vend po mbikëqyrin ruajtjen e sigurt të shufrave të karburantit të shpenzuar dhe mbetjeve të betonuara të reaktorit që shpërtheu.