
Ukraina thotë se Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (SHFSR) qëndron pas sulmeve kibernetike kundër agjencive të saj qeveritare.
Zyrtarët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SHSU) zbuluan identitetin e vërtetë të pesë anëtarëve të Gamaredon APT-së, të gjithë oficerë në degën e SHFSR-së, përkatësisht në atë të Sevastopolit në Gadishullin e Krimesë.
SHSU tha se grupi Gamaredon është përgjegjës për më shumë se 5,000 sulme kibernetike që nga viti 2014.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka zbuluar identitetin e vërtetë të pesë anëtarëve të grupit kibernetik të spiunazhit, Gamaredon, që lidh anëtarët e tij me Shërbmin Federal të Sigurisë së Rusisë (SHFSR) për degën e Krimesë.
Zyrtarët thanë se grupi – të cilin SHSU e gjurmon si Armageddon, por që njihet më gjerësisht në qarqet e sigurisë kibernetike si Gamaredon — vepronte nga qyteti i Sevastopolit, Krime, por vepronte me urdhra nga Qendra e SHFSR-së për Sigurinë e Informacionit (e njohur edhe si “Qendra 18 ”) në Moskë, një qendër e njohur për operacionet kibernetike të SHFSR-së.
Pesë anëtarë u identifikuan, emrat dhe pozicionet e tyre u publikuan dhe SHSU tha se u dërgoi atyre njoftim për tradhti të lartë: Çernik Mikollai Serhioviç (Chernykh Mykola Serhiiovych)-kreu i seksionit të 4-të, dega e
SHFSR-së në Sevastopol, Sklianko Aleksandër Mikolaioviç (Sklianko Oleksandr Mykolaiovych)-zëvendës shefi i seksionit të 4-të, dega e SHFSR-së në Sevastopol, Straçenko Anton Aleksandroviç (Starchenko Anton Oleksandrovych)-oficer i seksionit 4, dega e SHFSR-së në Sevastopol), Sushçenko Olek Aleksandroviç (Sushchenko Oleh Oleksandrovych)-oficer i seksionit 4, dega e SHFSR-së në Sevastopol, Miroshniçenko Aleksandër Valerioviç (Miroshnychenko Oleksandr Valeriiovych)-oficer i seksionit të 4-të, dega e SHFSR-së në Sevastopol.
“Ata ishin oficerë të SHFSR-së për ‘Krimenë’, si dhe tradhtarë që u rreshtuan në anën e armikut gjatë pushtimit të gadishullit në vitin 2014″, tha SHSU-ja në një konferencë për shtyp.
Për të mbështetur pretendimet e saj, SHSU-ja publikoi edhe bisedat telefonike të përgjuara midis dy prej anëtarëve të Gamaredon-it, në lidhje me sulmet që po kryenin dhe ankesat që kishin rreth pagave të tyre në SHFSR.
Megjithëse raportet e mëparshme nga kompani të shumta të sigurisë kibernetike e kanë lidhur grupin me një ent të dyshuar të qeverisë ruse, njoftimi i SHSU-së në konferencën për shtyp shënon herën e parë që tregon se grupi Gamaredon është i lidhur me SHFSR-në.
I njohur me emrat si Gamaredon (Eset, PaloAlto), Primitive Bear (CrowdStrike), Winterflouder (iDefence), BlueAlpha (RecordedFuture), BlueOtso (PWC), IronTiden (SecureWorks), SectorC08 (Red Alert) dhe Callisto (NATO Association of Canada), grupi filloi operacionet në qershor të 2013-ës, vetëm disa muaj përpara se Rusia të aneksonte me forcë gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Që nga ajo kohë, SHSU thotë se grupi ka kryer më shumë se 5,000 sulme kibernetike kundrejt më shumë se 1,500 sistemeve qeveritare të Ukrainës.
Qëllimi kryesor i aktivitetit të tyre është të kryejnë operacione të synuara të inteligjencës kibernetike kundër organeve shtetërore të Ukrainës, kryesisht agjencive të sigurisë, mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit, me qëllim marrjen e informacionit të inteligjencës, tha SHSU në raportin e saj.