Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA njoftuan se po vlerësojnë raportet e pakonfirmuara që pretendojnë se forcat ruse kanë përdorur armë kimike në Mariupol.
“Të gjitha opsionet e mundshme janë në tryezë” nëse ka prova që Rusia po përdor armë kimike në luftën e saj kundër Ukrainës, tha të martën ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.
“Ka raporte për përdorimin e armëve kimike, ne nuk kemi qenë në gjendje t’i verifikojmë ato vetë,” tha Heappey për Sky News në një intervistë. “Por le të jemi të qartë – nëse ato përdoren, atëherë presidenti [rus] [Vladimir] Putin duhet të dijë se të gjitha opsionet e mundshme janë në tryezë për sa i përket mënyrës sesi Perëndimi mund të përgjigjet.”
Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA njoftuan se po vlerësojnë raportet e pakonfirmuara që pretendojnë se forcat ruse kishin përdorur armë kimike në Mariupol, qytetin e rrethuar në Ukrainën lindore. Raportet dolën të hënën nga batalioni i shumëpërfolur Azov i Ukrainës, i cili deklaroi se tre persona po shfaqnin shenja të helmimit kimik, duke përfshirë problemet e frymëmarrjes pasi një dron rus hodhi një substancë të panjohur.
Heappey nuk dha detaje se cilat opsione do të konsideronte Perëndimi, duke argumentuar se ishte “e dobishme të ruhej njëfarë paqartësie”. Në mars, Heappey la të kuptohet se përdorimi i armëve kimike do të përbënte të ashtuquajturën vijë të kuqe për Mbretërinë e Bashkuar.
Muajin e kaluar, presidenti i SHBA Joe Biden paralajmëroi se Rusia do të paguante një “çmim të rëndë” nëse përdor armë kimike.
Në fjalimin e tij të natës të hënën vonë, Presidenti Volodymyr Zelenskyy nuk konfirmoi pretendimet e paverifikuara për përdorimin e armëve kimike në Mariupol, por tha: “Dëshiroj t’u kujtoj liderëve botërorë se përdorimi i mundshëm i armëve kimike nga ushtria ruse tashmë është diskutuar.” /POLITICO/