Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë sot një takim virtual me presidentin rus, Vladimir Putin, ku tema kryesore pritet të jetë Ukraina. Siç u njoftua më herët, Biden do të paralajmërojë Putinin se Rusisë do t’i vendosen sanksione të rrepta ekonomike nëse ajo pushton Ukrainën.
Zyrtarët e administratës amerikane thanë se për shkak të shqetësimeve të thella mbi planet e Rusisë për të nisur aksionin ushtarak kundër Ukrainës, Presidenti Biden do ta bëjë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i përgjigjen pushtimit me sanksione.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se Biden është realist për atë që mund të arrijë drejtpërdrejt me Putinin.
Por, sipas Bidenit, çdo bisedë është më e mirë se heshtja. Ai planifikon të detajojë mënyrat në të cilat Rusia do të sanksionohet nëse vendos të pushtojë. Këto sanksione përfshijnë kundërmasa të rëndësishme ekonomike që synojnë të shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe serioze ekonomike në ekonominë ruse.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se qëllimi i presidentit amerikan është të përcjellë një “mesazh të qartë” se cila do të jetë kostoja reale për Kremlinin nëse vendos të pushtojë. Inteligjenca amerikane vlerëson se Moska ka vendosur rreth 70,000 trupa në kufirin me Ukrainën dhe po përgatitet për një ofensivë vitin e ardhshëm.
“Ne u konsultuam me aleatët dhe ramë dakord të vendosim sanksione të rrepta që do të dëmtojnë seriozisht ekonominë ruse. Quajeni atë një kërcënim, një fakt, një përgatitje, çfarëdo që dëshironi,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, raporton Zëri i Amerikës.
Shumë zyrtarë amerikanë, ndërkohë, besojnë se Rusia po përdor vetëm bisedimet e NATO-s si një justifikim për të sulmuar Ukrainën, duke e ditur se Biden dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë nuk do të pranojnë kërkesat e Putinit.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka njoftuar me rastin e takimit virtual se presidentët do të diskutojnë për punën e përfaqësive diplomatike të dy vendeve.
Peskov tha se Putin dhe Biden do të diskutojnë edhe marrëdhëniet dypalëshe gjatë videokonferencës së sotme.
“Kjo përfshin, ndër të tjera, punën e misioneve tona diplomatike.” “Për momentin, duket se gjithçka është në një situatë krize,” tha një zëdhënës i Kremlinit.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka lëshuar një deklaratë sot, vetëm pak orë para se presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin të kenë një videotakim, në të cilin, ndër të tjera, do të diskutohet për grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Në deklaratë thuhet se “armiku ka shtuar numrin e çifteve snajperësh, të cilët janë gati të shkaktojnë humbje tek anëtarët e Forcave të Bashkuara (Ukrainë), të shkatërrojnë elementë të vëzhgimit me video dhe të shkaktojnë zjarr kthimi”.
Raportet për një grumbullim të trupave ruse në kufirin me Ukrainën në javët e fundit kanë nxitur Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj të NATO-s të theksojnë mbështetjen e tyre për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Zyrtarët ukrainas thanë më herët se Rusia mund të sulmojë Ukrainën muajin e ardhshëm.
Për shkak të lëvizjes së trupave ruse në kufirin ukrainas, qeveritë perëndimore janë të shqetësuara se Moska po përgatit një sulm ndaj vendit fqinj. Prandaj shefat e Shtabit të Përgjithshëm të 30 vendeve të NATO-s u mblodhën në një takim të veçantë. Sipas informacioneve të asaj aleance ushtarake, Rusia kohët e fundit ka vendosur kontigjente jashtëzakonisht të mëdha të trupave të gatshme luftarake në kufi, si dhe armë të rënda dhe dronë.
Presidenti amerikan bisedoi të hënën me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë për të diskutuar “shqetësimin e tyre të përbashkët” mbi akumulimin e trupave ruse.
Biden, Emanuel Macron, Angela Merkel, Mario Draghi dhe Boris Johnson shprehën mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe i bënë thirrje Rusisë që të shtendosw tensionet, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë, duke shtuar se “sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohet, duke ruajtur paqen dhe sigurinë në Evropë”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price u tha gazetarëve të hënën se Sekretari i Shtetit Anthony Blinken kishte biseduar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedën e ardhshme telefonike midis Biden dhe Putin.
Price shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe se aleanca duhet të mbetet e gatshme për kandidatët kur ata të jenë gati. Ukraina, një ish-republikë sovjetike, tani po kërkon t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s.