
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohet sot në Soçi me presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin. Tema kryesore e takimit të 19-të zyrtar mes tyre do të jetë çmimi i gazit, por liderët e dy vendeve do të diskutojnë edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, projektet e përbashkëta dhe bashkëpunimin ekonomik.
Aleksandër Vuçiq dhe Vlladimir Putin do të takohen rreth orës 13:00 me orën lokale, dhe rreth orës 11:00 me kohën e Serbisë. Dy presidentët fillimisht do të kenë një takim privat, e më pas do të kenë një drekë pune. Gjithçka bëhet në mënyrë private, duke pasur parasysh masat e rrepta epidemike.
Situata në Ballkanin Perëndimor dhe zgjidhja e krizës në Kosovë janë gjithashtu në tryezë. Aleksandar Vuçiq ka njoftuar gjithashtu se do ta informojë presidentin Putin për gjithçka që po ndodh në bisedimet për Kosovën, si dhe për gjithë situatën në Ballkanin Perëndimor.
Kremlini i sheh këto çështje si qendrore në bisedën mes dy liderëve. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini do të bisedojë me Vuçiqin në Soçi për “bashkëpunimin mes dy vendeve për përfitim reciprok”, që, siç vlerësoi ai, do të ishin “bisedime shumë të rëndësishme me një aleat dhe një mik”.
Kremlini ka njoftuar zyrtarisht për takimin mes Putinit dhe Vuçiqit dhe në deklaratë thuhet se bisedimet mes dy liderëve do të fokusohen ndër të tjera në zgjidhjen e krizës në Kosovë.
“Putin dhe Vuçiq kanë planifikuar të prekin çështjet kryesore të partneritetit strategjik ruso-serb në sferën politike, tregtare, ekonomike, kulturore dhe humanitare, si dhe të shkëmbejnë pikëpamjet mbi situatën në Ballkan, duke përfshirë perspektivat për zgjidhjen e problemit të Kosovës”, tha zyrtari i Kremlinit.
Takimi në Soçi është takimi i 19-të zyrtar ndërmjet presidentëve Vuçiç dhe Putin dhe vjen në një kohë të sfidave të shumta me të cilat përballet Serbia – siç është presioni i shtuar nga Perëndimi, kritikat ndaj shtetit të së drejtës e cenzurimit dhe kontrollimit të mediave.