Studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile thanë të enjten se Ballkani nuk është përparësi e perëndimit për një kohë të gjatë dhe kjo po shfrytëzohet nga Rusia dhe Kina për përhapjen e ndikimit të tyre.
Ata i bënë këto komente gjatë një debati në Institutin Harriman të Universitetit Columbia të Nju Jorkut më temën “ngritja e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor: Çfarë do të thotë kjo për demokracinë dhe integrimin evropian”?
Tanya Domi, profesoreshë e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia tha se “javën e kaluar Rusia dhe Kina u bashkuan kundër perëndimit rreth zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa ka shumë zhvillime në rajon që dëshmojnë për ndërhyrjen e tyre”.
Ivana Stradner, nga American Enterprise Institute, tha se kur e sheh Ballkanin në lajme është e qartë se diçka nuk është në rregull.
“Ngjarjet e fundit në Bosnjë, Mal te Zi dhe Kosovë, dërgojnë sinjalin e qartë se Ballkani është në buzë të konfliktit”, tha zonja Stradner, duke nënvizuar se kjo nuk është shumë e dukshme në perëndim për shkak të problemeve në pjesët tjera të botës dhe Ballkani nuk është përparësi e perëndimit.
Ajo tha se qëllimet globale të Rusisë janë të qarta; ajo dëshiron mes tjerash të imponojë veten si fuqi botërore dhe të pengojë zgjerimin e NATO-s dhe Ballkani është i përshtatshëm për përmbushjen e synimeve ruse.
“Rusia e kupton se Ballkani është pikë e dobët e Evropës dhe është shumë i ndarë në vija etnike. Po ashtu, korrupsioni ka krijuar mundësi të lehte për Rusinë për të përshirë njerëzit e saj gjithandej dhe Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë demokraci të përmbushura”, tha ajo, duke theksuar se Rusia nxitë tensionet etnike nëpërmjet operacioneve informative, pajis më armë rajonin, ndërsa shfrytëzon gazin dhe ushtron ndikim nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe.
Ajo tha se Kosova është një teatër tjetër për Rusinë, e cila gjatë zhvillimeve të fundit në kufirin me Serbinë, mes tjerash “talli forcat paqeruajtëse dhe rolin e BE-së si ndërmjetësuese e bisedimeve mes dy shteteve”.
Ajo tha se Rusia përmes veprimeve të saj në Ballkan synon përmbushjen e tri qëllimeve; të zhvlerësojë mbrojtjen kolektive të NATO-s, meqë disa vende të Ballkanit janë anëtare të aleancës; të dobësojë Bashkimin Evropian dhe që ta bëjë të duket si “tigër prej letre” dhe; të rivendosë veten si fuqi botërore duke e nxitur një konflikt dhe më pas, duke e imponuar veten si ndërmjetëse.
Ambasadori Vesko Garçeviç, profesor i Praktikave të Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa e kanë shpërfillur rrezikun që Rusia dhe Kina ushtrojnë në Ballkanin Perëndimor, ku siç tha, regjimet ‘hibride’ janë të pritura të kopjojnë veprimet e këtyre vendeve.
Ambasadori Garçeviç tha se ardhmëria evropiane si proces nxitës i reformave po zbehet dhe kësisoj po krijohet hapësirë për Kinën dhe Rusinë.
Lubomir Filipoviç, drejtues i Nismës Qytetare “21 Maji” në Malin e Zi dhe Reuf Bajroviç, bashkëkryesues i Aleancës SHBA-Evropë, vunë theksin tek roli i Kishës Ortodokse Serbe në mbështetjen e ndikimit rus në Ballkan që përhapet edhe nëpërmjet medias.
Lubomir Filipoviç, tha se forcat proruse në Malin e Zi, pas zgjedhjeve të fundit atje, kanë siguruar pozita shumë të rëndësishme në qeveri.
Reuf Bajroviç tha se suksesi afatgjatë i rajoni varet nga veprimet e Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara janë e vetmja dhe shpresa e fundit për rajonin”, tha ai duke nënvizuar se Bashkimi Evropian ka dëshmuar se nuk është në gjendje t’u kundërvihet Rusisë dhe Kinës në rajon.