
“Pushtimi rus i Ukrainës është një akt barbar i paprovokuar dhe Mbretëria e Bashkuar qëndron në krah të rajonit të Ballkanit Perëndimor, e gatshme të reagojë në rast të agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Stuart Peach, i dërguari special iBritanisë për Ballkanin Perëndimor, gjatë një takimi me gazetarët që i paraprinë diskutimit në Samitin për Demokraci në Evropën Juglindore “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”.
Samiti u mbajt në Budva të hënën (30 maj 2022) dhe u organizua nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), ku morën pjesë zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe rajoni, si dhe ekspertë.
Duke folur për ndikimin e krizës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach tha se “ne duhet të jemi të lëvizshëm dhe të gatshëm për të reaguar”, dhe se Rusia ka synime shkatërruese.
“Askush nuk mund të jetë paqësor në rajonin e Ballkanit Perëndimor kur bëhet fjalë për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe as t’i injorojë ato. Ne jemi të ndjeshëm ndaj faktit se lufta në Ukrainë u parapri nga luftëra të tjera në Evropë”, tha Peach, duke shtuar se siguria kolektive ishte çelësi.
“Si aleatë të NATO-s, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë kolektive. Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet e vendeve të rajonit, nëpërmjet sundimit të ligjit dhe politikave të forta, dhe në këtë mënyrë të ndërtojmë qëndrueshmëri përballë situatës në të cilën ndodhemi”.
Ai beson se është e nevojshme të vazhdohet me ngritjen e kapaciteteve të vendeve të rajonit, përmes sundimit të ligjit dhe politikave të forta, dhe në këtë mënyrë të ndërtohet qëndrueshmëri në drejtim të përballimit të situatës në të cilën ndodhemi.
“Rusia ka synime shkatërruese ndaj rajonit, por qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po qëndron krah për krah me ju në rrugën tuaj euro-atlantike për t’i dhënë popullit të rajonit një të ardhme më të mirë,” tha Peach.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vuri në dukje se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord të detyrojnë Rusinë të paguajë çmimin për pushtimin e Ukrainës përmes sanksioneve, mbështetjes për Ukrainën dhe popullin e saj.
“Shpresoj se Serbia do t’i bashkohet grupit dhe do të respektojë sanksionet kur të formojë qeverinë,” tha Escobar në një fjalim online në samit. Serbia është i vetmi shtet në Evropë që s’i ka vënë sanksione Rusisë, edhe pse është pajtuar me deklaratat e OKB-së dhe Bashkimit Evropian që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Escobar përshëndeti rikonfirmimin e“politikës së dyerve të hapura” nga BE dhe NATO.
“ E kjo na kujton gjithashtu se gjashtë vende të tjera janë në radhë para Ukrainës”, theksoi Escobar.
Pjesëmarrësit në Samit ranë dakord se është detyrim i çdo vendi në Ballkanin Perëndimor që të kontribuojë për paqen në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se është e rëndësishme që rajoni të bashkëpunojë.
Në Samit ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se lufta në Ukrainë rrezikon të gjithë arkitekturën e sigurisë në kontinentin tonë.
“Për këtë arsye, është e drejtë të mblidhemi dhe të dërgojmë një mesazh të qartë jo vetëm për Rusinë, por edhe për të gjithë ata që qëndrojnë pranë Rusisë. Më lejoni të shpreh një qëndrim të qartë të Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, e ai është dënimi i agresionit rus kundër Ukrainës dhe solidariteti i plotë me popullin dhe njerëzit e Ukrainës. Siç ishte rasti në Ballkan në vitet 1990, dua të them se paqja do të fitojë luftën dhe demokracia do të fitojë autokracinë”, tha Osmani.
Krivokapiq: Mali i Zi i thoshte JO Rusisë
“Mali i Zi ka 310 vite zyrtare marrëdhënie diplomatike me Rusinë, por si Shën Pjetri i Cetinjes ashtu edhe Mali i Zi euroatlantik dinin t’i thoshin “jo” Rusisë dhe të gjithë të tjerëve të ngjashëm me Rusinë kur donin të kontrollonin fatin e popullit malazez”, tha ministri i jashtëm Ranko Krivokapiq.
Ai ishte një panelist në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore (SEE | DEM), organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në Budva të hënën dhe edicioni i këtij viti i kushtohet pasojave të luftës së Ukrainës në Ballkanin Perëndimor.
Krivokapiq vuri në dukje se tani të gjithë mund të shohin se sa vendimtar është anëtarësimi në NATO për paqen dhe stabilitetin e anëtarëve të saj, dhe veçanërisht, nënvizon ai, atyre që kanë kërcënime të ngjashme si Ukraina.
“Mali i Zi mbështet fuqishëm popullin e Ukrainës, por është gjithashtu i përkushtuar për të përmbushur plotësisht detyrimet e tij në integrimin evropian në mënyrë që të hyjë sa më shpejt në zonën e sigurisë politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake si lider i rajonit”, u tha nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi./The Geopost