Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se do të pasojë një rritje e numrit të ushtarëve, një rritje e gatishmërisë për një reagim të shpejtë dhe më shumë pajisje në gatishmëri dhe se do të bihet dakord për një “paketë të plotë ndihme për Ukrainën”.
Vendet anëtare të NATO-s do të bien dakord për një paketë gjithëpërfshirëse ndihme për Ukrainën në samitin e Madridit javën e ardhshme, tha më 25 qershor Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg.
“Samiti në Madrid do të jetë vendimtar dhe transformues për NATO-n. Kjo do të jetë një ngjarje historike sepse 30 aleatë po mblidhen gjatë krizës më të madhe të sigurisë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, tha Stoltenberg në një intervistë për gazetën spanjolle El Pais.
Takimi i NATO-s në nivel krerësh shtetesh dhe qeverish do të mbahet nga data 28 deri më 30 qershor në kryeqytetin spanjoll.
Stoltenberg tha se samiti do të miratojë një koncept të ri strategjik, si një udhëzues për “të ardhmen e aleancës” dhe se një marrëveshje do të arrihet për “transformimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Ai tha se do të pasojë një rritje e numrit të ushtarëve, një rritje e gatishmërisë për një reagim të shpejtë dhe më shumë pajisje në gatishmëri, si dhe se do të bihet dakord për një “paketë të plotë ndihme për Ukrainën”.
“Ne do të marrim vendime të rëndësishme në lidhje me krahun jugor, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për Spanjën dhe aleatët e tjerë jugorë. Fokusi është tek Rusia dhe Ukraina, por nuk duhet të harrojmë kërcënimet e tjera, terrorizmin dhe paqëndrueshmërinë në Afrikën e Veriut dhe në Sahel”, saktësoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Stoltenberg tha se do të bihet dakord për një paketë të re mbështetjeje për Mauritaninë në luftën kundër terrorizmit, kontrollin e kufijve dhe forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së saj.
“Jugu është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe aleatët e NATO-s do të përfshihen më shumë në trajtimin e situatave të paqëndrueshme,” tha ai./RSE