
Me ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë në orën 08:00, në Kosovë do të fillojë ceremonia e shënimit të 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Siç njofton Qeveria e Kosovës, festa do të vazhdojë me vendosjen e kurorave në varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçit.
Po ashtu, në orën 11 është caktuar seanca solemne e Kuvendit, ndërsa një orë më vonë do të mbahet parakalimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se festimi i përvjetorit të shpalljes së pavarësisë do të vazhdojë me një pritje të organizuar nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës, si dhe me koncerte nga Filarmonia e Kosovës dhe ansambli Shota.
Urime të shumta nga diplomatët e huaj me rastin e festës së Pavarësisë
Urime të shumta me rastin e festës së Pavarësisë së Kosovës kanë dërguar shumë zyrtarë nga vende të ndryshme, ndër të cilët edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
Presidenti i Zvicrës, Ignacio Cassis i ka dërguar një urim Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, të bazuara në besimin reciprok, janë tw rwndwsishme për adresimin e përbashkët të sfidave të mëdha globale dhe rajonale.
Presidenti i Zvicrës u ka uruar qytetarëve të Kosovës një të ardhme të qetë dhe të begatë.
Urimit i është bashkuar edhe presidenti i Austrisë. Ai tha se e mirëpret dhe e mbështet miqësinë dhe partneritetin e rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
“Austria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, shkëmbime politike, ekonomike, shkencore dhe kulturore. Pavarësisht pandemisë, vizita juaj zonja Presidente dhe disa vizita në nivel qeveritar e kanë thelluar më tej këtë bashkëpunim gjatë vitit 2021”, thuhet në urimin e Presidentit të Austrisë.
Osmani ka marrë edhe një telegram me urim për festën e Pavarësisë nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar.
“Me rastin e festës së rëndësishme të Ditës suaj të Pavarësisë, dëshiroj të uroj Shkëlqesinë Tuaj dhe t’i dërgoj urimet e mia popullit të Kosovës. Ndërsa kalojmë së bashku sfidat globale të shëndetit, me vendosmëri dhe këmbëngulje, ju uroj kohë më të mira në të ardhmen”, thuhet në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth.
Edhe presidenti i Italisë, Sergio Matarella, ka uruar Kosovën për festën e Pavarësisë.
“Në vijim të miqësisë dhe afërsisë që bashkon vendet tona, Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për konsolidimin e institucioneve demokratike, në një perspektivë evropiane që shpresojmë se do të jetë gjithnjë e më e prekshme. Në këtë frymë, ne do të vazhdojmë të punojmë për afrimin e Kosovës dhe shoqërisë së saj civile me Evropën, veçanërisht me gjeneratat e reja”, ka thënë Matarella në një telegram.
Matarella theksoi gjithashtu se Italia do të vazhdojë të kryesojë në aspektin e paqes dhe sigurisë në Ballkan.
Në prag të festës së Pavarësisë, Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsic, ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Uroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe juve personalisht, në emrin tim dhe të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë”!
Të inkurajuar dhe të kënaqur nga përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike, jemi të bindur se rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çdo tjetër bashkëpunimi dhe marrëdhënit miqësore ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës do të jenë tw një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendit tonë nw njw tw ardhmen tw afërt.
Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës ndajnë prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. “Vetëm së bashku dhe në bashkëpunim me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera mund të arrijmë qëllimin tonë”, thuhet në mesazh.
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë. Zyrtarët e Kosovës thanë në atë kohë se ky akt hapi një faqe të re në histori dhe ndryshoi hartën politike të Evropës.
Kosova shpalli pavarësinë kur nw krye tw saj ishin presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Simboli i shpalljes së pavarësisë në Prishtinë është monument “New Born”, e cila çdo vit merr një ngjyrë të re. /The Geopost/