Shtetet e QUINT (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian në një deklaratë të përbashkët kanë mirëpritur referendumin kombëtar që do të mbahet në Serbi më 16 janar.
Këto shtete e kanë konsideruar këtë proces si kyç për ndryshimet kushtetuese e pavarësinë e gjyqësorit në këtë vend.
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk lejon që serbët nga Kosova të marrin pjesë në këtë referendum.
“Katërshja e madhe e Evropës”, SHBA-të dhe BE-ja kanë shprehur keqardhje për këtë vendim dhe kanë bërë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore.
Deklarata e plotë:
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të 16 janarit në Serbi për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbise që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.
I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.