
?????????????????????????????????????????
Presidenti Joe Biden do të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për bisedime ballë për ballë me liderët evropianë rreth pushtimit rus të Ukrainës, ka njoftuar të martën sekretarja për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Biden do të takohet me liderët evropianë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel që do të mbahet me 24 mars. Ai gjithashtu do të marrë pjesë në një samit të planifikuar të Këshillit Evropian ku janë duke u zhvilluar përpjekjet për të vendosur sanksione dhe përpjekje të mëtejshme humanitare.
“Ndërsa ai është atje, qëllimi i tij është të takohet personalisht për së afërmi me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë si dhe të vlerësojë se ku jemi në këtë pikë të konfliktit në pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ne kemi qenë jashtëzakonisht të përafruar deri më sot,” tha Psaki. “Kjo nuk ndodh rastësisht. Presidenti është një besimtar i madh në diplomacinë ballë për ballë. Pra, është një mundësi për të bërë pikërisht këtë.”
Shtëpia e Bardhë njoftoi udhëtimin e presidentit pak përpara se Biden të nënshkruante të martën një projektligj që siguron 13.6 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e një mase të shpenzimeve qeveritare prej 1.5 trilion dollarësh.
Biden tha në ceremoninë e nënshkrimit të projektligjit se SHBA-ja “po lëvizte urgjentisht për të shtuar më tej mbështetjen për popullin e guximshëm të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë vendin e tyre”.
Udhëtimi pason vizitën e Zëvendës Presidentes Kamala Harris gjatë javës së kaluar në vendet e krahut lindor të NATO-s Poloni dhe Rumani, për të diskutuar me liderët krizën në rritje të refugjatëve në Evropën Lindore të shkaktuar nga pushtimi rus dhe për të nënvizuar mbështetjen e administratës Biden për aleatët e NATO-s.
Ministri i Jashtëm i Polonisë Zbigniew Rau tha të martën se një vizitë e Bidenit në Poloni ishte “shumë e mundshme” kur ai të vinte në Evropë. Më shumë se 1.8 milionë ukrainas kanë ikur në Poloni që nga fillimi i luftës sipas Kombeve të Bashkuara, ndërsa më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia filloi pushtimin e saj.
“Do të ishte e vështirë të imagjinohej një vend më i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjithë aleancën për të theksuar pozicionin e tyre sesa Polonia që është lidhja më e ndritshme në krahun lindor,” ka thënë Rau për televizionin shtetëror polak TVP INFO.
Psaki ka thënë se nuk kishte detaje shtesë nëse Biden do të vizitonte Poloninë gjatë udhëtimit. Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë për vizitën e Biden në Bruksel ka ardhur në të njëjtën ditë kur liderët e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë u nisën për në Kiev me tren pavarësisht rreziqeve të sigurisë, për të treguar mbështetjen e tyre për Ukrainën. Kjo ishte një vizitë që zyrtarët e BE-së thanë se nuk ishte sanksionuar nga anëtarët e tjerë të unionit prej 27 vendesh.
Ish-zëvendës ndihmës sekretari i shtetit për çështjet evropiane Daniel Hamilton, ka thënë se udhëtimi i Biden në Evropë vjen pasi Shtëpia e Bardhë duket të vazhdojë të mbajë atë që ka qenë një opozitë kryesisht e unifikuar perëndimore ndaj Rusisë që nga pushtimi.
“Ndërsa lufta vazhdon, është e rëndësishme që presidenti të tregojë se nuk është ulur rehat përtej Atlantikut, por se ai është pjesë e takimit të koalicionit me kolegët evropianë në Evropë dhe se Shtetet e Bashkuara janë një fuqi evropiane,” ka thënë Hamilton, anëtar jo rezident në Institucionin Brookings, që është një “think-tank” në Uashington.