LUKoil, ndër kompanitë më të mëdha private të naftës në Rusi, dhe ndër kritiket e pakta të luftës së Moskës në Ukrainë, ka thënë se shefi i saj ka vdekur pas një “sëmundjeje serioze”.
Kjo deklaratë ka ardhur pas raportimeve të mediave lokale se Ravil Maganov, 67-vjeçar, ka rënë nga dritarja e një spitali në Moskë dhe ka vdekur.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, ka cituar një zyrtar për zbatim të ligjit të ketë thënë se Maganov ka kryer vetëvrasje nga kati i gjashtë i spitalit, pasi është pranuar në të për shkak të sulmit në zemër.
Faqja tjetër e lajmeve, RBK, ka thënë se policia është duke hetuar mundësinë e vetëvrasjes.
Maganov ka punuar për Lukoil prej fillimit të viteve 1990 dhe konsiderohet besnik i Kremlinit.
Megjithatë, LUKoil ka treguar pakënaqësitë e veta në muajin mars – pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë – duke u bërë ndër kompanitë e pakta që ka dënuar luftën.
Kjo kompani po ashtu ka bërë thirrje për dhënie fund të luftës sa më shpejt që është e mundur.
Në deklaratën e kompanisë LUKoil nuk janë dhënë hollësi tjera për vdekjen e Maganovit.
Vdekja e tij raportohet në kohën e disa vdekjeve tjera misterioze të sipërmarrësve rusë.
Në muajin maj, mediat ruse kanë raportuar se një ish-menaxher i kompanisë LUKoil, Aleksandr Subbotin, është gjendur i vdekur në podrumin e një shtëpie afër Moskës.
Sipas burimeve, pronari i shtëpisë ku është gjetur trupi i miliarderit, ka thënë se Subbotin ka shkuar në shtëpi nën ndikim të alkoolit dhe drogave.
Disa javë më parë, Vagit Alekperov, themelues dhe bashkëpronar i kompanisë LUKoil, ka dhënë dorëheqje, pasi ai dhe manjatë tjerë rusë, janë sanksionuar nga Australia dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të luftës në Ukrainë.
Ditën e njëjtë, mediat kanë raportuar se një ish-menaxher i kompanisë ruse të gazit, Novatek, Sergei Protosenya, gruaja e tij dhe vajza, janë gjendur të vdekur në një vilë të marrë me qira afër Barcelonës.
Edhe sipërmarrës tjerë biznesorë në Rusi janë gjendur të vdekur kohën e fundit, në rrethana të paqarta.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL

NATO: KFOR ka nisur përshtatjen e pozicionimit dhe pranisë në terren pas përmirësimt të sigurisë në Kosovë
Vuçiq “i puth dorën” Zelenskyt, ndërsa i ruan shpinën Putinit
Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit
SHBA kërkon ekstradimin e hakerit iranian të arrestuar në Mal të Zi
Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj