Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar këtë të martë për nisjen e një programi të ri për kapjen dhe analizimin e provave të krimeve të luftës si dhe mizorive të tjera të përjetësuara nga Rusia në Ukrainë, ndërsa Uashingtoni kërkon të sigurojë që Moska të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.
Departamenti i Shtetit në një deklaratë ka thënë se i ashtuquajturi Observatori i Konfliktit do të përfshijë dokumentimin, verifikimin dhe shpërndarjen e provave nga softveri ‘open source’ për veprimet e Rusisë në Ukrainë. Raportet dhe analizat do të vihen në dispozicion përmes faqes së internetit të Observatorit të Konflikteve.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka dënuar Rusinë për ato që ai i quan “krime të mëdha lufte” të kryera në Ukrainë dhe ka nënvizuar vendosmërinë e tij për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për nisjen e luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Qeveria e Kievit ka akuzuar Rusinë për mizori dhe brutalitet kundër civilëve gjatë pushtimit dhe ka thënë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme lufte.
Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët dhe thotë se pa prova, janë inskenuar shenja të mizorive.
Departamenti Amerikan i Shtetit ma thënë se programi i ri, i cili po krijohet me një investim fillestar prej 6 milionë dollarësh, do të analizojë dhe ruajë informacionin, duke përfshirë imazhet satelitore dhe informacionin e shpërndarë në mediat sociale, në mënyrë që të mund të përdoret në mekanizmat e llogaridhënies në vazhdim dhe në të ardhmen.
“Ky program i ri i Observatorit të Konflikteve është pjesë e një sërë përpjekjesh të qeverisë së SHBA-së në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të dizajnuara për të siguruar llogaridhënien në të ardhmen për veprimet e tmerrshme të Rusisë”, thuhet në deklaratë.
Një gjykatë ukrainase ka mbajtur një seancë paraprake të premten në gjyqin e parë për krimet e luftës që rrjedhin nga pushtimi rus i 24 shkurtit, pasi ka akuzuar një ushtar rus të kapur për vrasjen e një civili 62-vjeçar.
Rusia ka bombarduar qytetet deri në rrënoja dhe qindra trupa civilë janë gjetur në qytetet ku forcat e saj u tërhoqën që nga fillimi i asaj që ajo e quan një operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës. Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se ky është një pretekst i pabazë për një luftë të paprovokuar.