
Uashingtoni i kërkon Berlinit të mbështesë kërcënimin ndaj tubacionit të gazit për të penguar Putinin nga aksioni ushtarak.
SHBA-të po i bëjnë presion Gjermanisë për të bllokuar gazsjellësin rus “Nord Stream 2” si pjesë e një pakete sanksionesh që do të zbatoheshin në rast se Vladimir Putin pushton Ukrainën. Kërkesa që Berlini dhe Brukseli të parandalojnë funksionalizimin e tubacionit është pjesë e një pakete sanksionesh që SHBA po propozon ndërsa përpiqet të shmangë konfliktin e mëtejshëm në rajon mes frikës në komunitetin e inteligjencës se presidenti i Rusisë po përgatitet për veprime ushtarake.
Kjo vjen pasi presidenti amerikan Joe Biden përdori të martën një telefonatë dy-orëshe me Putinin për ta paralajmëruar atë për “masa të forta ekonomike e të tjera” nëse udhëheqësi rus dërgon trupa në Ukrainë. Dy zyrtarë të informuar mbi planin i thanë Financial Times se kërcënimi për “Nord Stream 2”, i cili është ndërtuar por ende nuk pompon gaz, do të përfshihej së bashku me një paketë sanksionesh të propozuara nga SHBA, që do të përfshinin masa financiare si bllokimi i konvertimit të rublave në dollarë dhe targetimi i mëtejshëm i oligarkëve rusë.
Jake Sullivan, këshilltari i Biden për sigurinë kombëtare, i cili dëgjoi telefonatën, tha se “nëse Vladimir Putin dëshiron të shohë rrjedhjen e gazit përmes atij tubacioni, ai mund të mos dëshirojë të marrë përsipër rrezikun e pushtimit të Ukrainës”.
“Ne kemi pasur diskutime intensive si me qeverinë gjermane që po largohet, ashtu edhe me atë në ardhje për çështjen e ‘Nord Stream 2’ në kontekstin e pushtimit të mundshëm”, shtoi Sullivan në një konferencë për shtyp pas telefonatës Biden-Putin.
Një diplomat perëndimor tha se Uashingtoni dhe Berlini kishin zhvilluar “disa biseda mjaft të forta” për gazsjellësin, duke shtuar se: “Në fund të fundit mund të dalë një konsensus se nëse ka një pushtim serioz të Ukrainës, rrjedha ‘Nord Steam 2’ bëhet e paqëndrueshme”.
Një zyrtar amerikan tha se qeveria e re gjermane pritej të ishte “më e dobishme” ndaj fushatës së presionit të Uashingtonit kundër Rusisë, pasi administrata Biden përpiqet të fitojë mbështetjen evropiane për një paketë të fortë që synon ta bëjë Putinin të kujdesshëm ndaj kostove të pushtimit të Ukrainës.
Zyrtarët amerikanë pritet të udhëtojnë në Gjermani sapo të vijë në detyrë qeveria e re e vendit, e udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.
“’Nord Stream 2’ është gjithmonë një elefant në dhomë”, tha zyrtari amerikan.
“Është diçka e madhe për çdo gjë që ka të bëjë me Rusinë, Gjermaninë dhe Ukrainën.”
Putin dhe Biden u kanë thënë ekipeve të tyre “të ndjekin” thirrjen e së martës, sipas një leximi të bisedës së tyre nga Shtëpia e Bardhë.
Gjithashtu të martën, Victoria Nuland, zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit në SHBA, tha se mendonte se Gjermania është e gatshme të marrë pjesë në veprime të rëndësishme kundër Rusisë nëse Putin do të pushtonte Ukrainën. “Unë besoj se ata janë [gati] dhe sot është dita e parë e qeverisë së re gjermane,” tha ajo kur u pyet për ‘Nord Stream 2’ gjatë një seance dëgjimore në Senat. “Ne tashmë kemi filluar konsultimet intensive me ta.”
SHBA-ja ka kaluar javë duke u përpjekur të bindë partnerët evropianë për rrezikun që Putini mund të pushtojë Ukrainën në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa përpiqet të sigurojë mbështetjen e aleatëve për një përgjigje agresive për ta penguar atë nga një veprim i tillë. Është e paqartë se çfarë lloj përshkallëzimi ushtarak do të klasifikohej si një pushtim dhe do të shkaktonte sanksione. Në vitin 2014, Putin mohoi se ushtarët pa emblema që u kapën gadishullin e Krimesë nga Ukraina ishin forca speciale ruse dhe vazhdon të këmbëngulë se Moska nuk është e përfshirë në luftën separatiste në lindje të vendit – pavarësisht se shumë prova e vërtetojnë të kundërtën.
BE-ja u zotua të martën se do të zgjerojë masat ndëshkuese kundër Rusisë në rast të “agresionit të mëtejshëm”. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, u tha ambasadorëve të BE-së se blloku do të “përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj çdo agresioni të mëtejshëm” dhe do të marrë “masa kufizuese shtesë” përtej sanksioneve ekonomike në rast të një pushtimi.
Biden mbajti bisedimet me partnerët evropianë të hënën përpara telefonatës me Putinin, në mënyrë që ai të mund të hynte në bisedime me homologun e tij rus me pohimin se aleatët perëndimorë ishin të unifikuar pas qëndrimit të SHBA-së.
Sanksionet e BE-së që po diskutohen do të fokusohen në mënyrat për të targetuar ekonominë dhe sistemin financiar të Rusisë, thanë diplomatët perëndimorë. Zyrtarët perëndimorë informuan për qasjen e Uashingtonit dhe thanë se kufizimet në konvertimin e rublave në monedhat perëndimore do ta bënin shitjen e eksporteve të naftës ruse “shumë më të vështirë”.
SHBA beson se Putini po mbledh trupat, pajisjet dhe po bën fushatë dezinformimi që shërbejnë për përshkallëzimin ushtarak vitin e ardhshëm. Një pushtim i ri do të riaktivizonte një konflikt të ngadaltë në Donbas, një rajon lindor i Ukrainës në kufirin rus, i cili ka marrë më shumë se 14,000 jetë. Një zyrtar i lartë i BE-së tha se inteligjenca amerikane mbi përgatitjet ushtarake të Rusisë, që u është shpërndarë shteteve evropiane në javët e fundit, kishte “krijuar një ndjenjë urgjence” rreth sanksioneve të reja.
Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë pas një kryengritjeje pro-perëndimore në Kiev. Që atëherë, Kremlini ka mbështetur forcat separatiste në rajonin e Donbasit, megjithëse mohon çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt.
Burimi: Financial Times