Reagimi i zhurmshëm i autoriteteve serbe ndaj letrës së shtatë kongresistëve vetëm sa e dëshmon fajësinë. Nëse ata nuk do të ishin të korruptuar dhe nëse do të kishte liri të medias, nuk do të kishte një reagim kaq ekstrem, ka theksuar Daniel Server, profesor i Universitetit Johns Hopkins në Uashington.
Kongresmenët Raja Krishnamoorti, Richie Torres, David N. Sisilin, Jen Shakovski, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa, të cilët janë gjithashtu anëtarë të grupit parlamentar shqiptar dhe boshnjak, i kërkuan Bidenit ta konsiderojë vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që destabilizojnë
Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se janë të shqetësuar për ndikimin e situatës politike në Serbi, në rajon dhe Evropë.
Ata gjithashtu i bënë thirrje administratës që të vazhdojë të angazhohet dhe të bisedojë me qeverinë serbe në mënyrë që të çrrënjoset korrupsioni në Serbi dhe të ndalohen sulmet ndaj mediave.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Server shpjegoi se letra nuk ishte asgjë më shumë se një përpjekje për të nënvizuar çështjet që anëtarët e Kongresit i konsiderojnë shumë të rëndësishme, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias në Serbi.
“Sigurisht që numri i tyre paraqet një përqindje shumë të vogël të anëtarësimit të Kongresit, por nga ana tjetër angazhimi i tyre kërkon ende përpjekje. Nuk ka dyshim se ata ndjejnë një përkushtim të fortë për temat që përmendën – duke pasur parasysh se në letër kanë vënë nënshkrimin e tyre, ndaj nuk mund të thuhet se adresimi e tyre është i parëndësishëm.
Politika amerikane udhëhiqet pjesërisht nga çështje të rëndësishme për Kongresin, megjithëse qëndrimi i këtij organi ndaj politikës së jashtme është mjaft i largët, sepse drejtimi i politikës së jashtme i përket domenit të pushtetit ekzekutiv. Por nëse ekzekutivi merr disa informacione nga Kongresi, veçanërisht diçka me të cilën mund të pajtohen – ndodh që ata të fillojnë të merren me këtë çështje”, tha Server.
Ai tregon se dokumenti dhe vetë drejtimi presidentit amerikan mund të mos kenë shumë fuqi, por kanë njëfarë ndikimi. Server thotë se është i sigurt se nënshkruesit e letrës i kërkuan stafit të tyre në Kongres të informojnë zyrtarët e administratës dhe i pyesin se çfarë mund të bëhet në lidhje me çështjet që ata vunë në dukje.
“Të gjithë diplomatët amerikanë, përfshirë sekretarin e shtetit, inkurajohen të takohen me përfaqësues të opozitës, OJQ-ve dhe komunitetit më të gjerë – veçanërisht në vendet që e konsiderojnë veten demokratike, sepse në fund të fundit, forcat opozitare një ditë mund të vijnë në pushtet. Ju dëshironi t’i njihni ata, si dhe çfarë mendojnë. Eskobar njeh shumë njerëz nga Beogradi – ai ndoshta nuk do t’ia përplasë derën dikujt që njeh”, përfundon profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Server.