Serbia ka bllokuar qindra udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë për hakmarrje pasi u votua në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Qytetarët e Kosovës në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë janë privuar edhe nga ushqimi edhe nga mjekimi me orë të tëra.
Ministria e Jashtme dhe e Diasporës dhe ajo e Brendshme iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë kalimin nëpër Serbi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi. MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thanë në deklaratë dy ministritë dhe paralajmëruan për lajme të rrejshme.
Ndërkaq, MPJD-ja përmes një njoftimi tjetër tha se institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.
Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.
“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se Serbia po i hakmerret civilëve një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës.
“Serbia hakmerret kundër civilëve të Kosovës. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 qytetarë tanë—përfshirë. fëmijët—janë mbajtur arbitrarisht në kufi, janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi. Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që tha se personi përgjegjës për këtë situatë është Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit të Këshillit të Evropës në APKE, duke mbajtur shumë pengje në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq. Ashtu siç bëra gjatë gjithë ditës, u bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”, ka shkruar Osmani.
Bashkimi Evropian i ka reaguar Serbisë duke kërkuar që t’i kthehet Marrëveshjes së Lirë të Lëvizjes.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje. BE-ja fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“., ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano për mediat në Kosovë.
Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”./TheGeopost/

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999