Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se niveli i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë “është shumë i mirë dhe do të mbetet i tillë pavarësisht keqbërësve”.
“Ne kemi marrëdhënie të mira, shumë të mira me Federatën Ruse, dhe ato do të vazhdojnë pavarësisht nga të gjithë ata që do të donin që ne të mos i kishim ato”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Aleksa Gajiq, e cili është në krye të qëndrës së bashkëpunimit serbo-rus, “Zenit”, ka thënë se është e domosdoshme përfshirja e Rusisë në vendimet kryesore ndërkombëtare, duke thënë se ka ndjenja mbizotëruese anti-ruse në Evropë.
Sipas Gajiq, kjo ndjenjë po mjegullon perceptimet perëndimore për rolin e Rusisë në skenën globale.
Gajiq theksoi se Serbia ka ruajtur lidhjet e saj të forta me Rusinë, edhe në mes të presionit intensiv nga Evropa për të vendosur sanksione.
“Pavarësisht presionit masiv dhe histerisë anti-ruse në Evropë, Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë”, tha Gajiq. Ai shprehu shpresën se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Serbisë dhe Rusisë do të vazhdojë të përmirësohet.
Gajiq theksoi se asnjë “vendim i rëndësishëm ndërkombëtar nuk mund të merret efektivisht pa përfshirjen e Rusisë.
“Evropa do të kuptojë se pjesëmarrja e Rusisë është vendimtare për adresimin e çështjeve kryesore globale. Bashkëpunimi ka gjithmonë hapësirë për përmirësim dhe shpresoj se do të vazhdojë të zhvillohet. Me kalimin e kohës, e gjithë Evropa duhet të kuptojë se Rusia nuk është armiku i saj dhe se vendimet e rëndësishme për kontinentin evropian dhe botën nuk mund të merren pa Rusinë”, shtoi ai.
Megjithatë, që prej pushtimit të Ukrainës, vendet e Evropës, përveç Serbisë dhe Bjellorusisë, kanë vënë sanksione ndaj Rusisë për agresionin e saj dhe kanë zvogëluar varësinë ndaj saj.
BE-ja jo vetëm që mundi të menaxhojë dimrin pa gazin rus, por mundi ta bëjë këtë edhe pa pasur nevojë të përjetojë katastrofë ekonomike ose ndërprerje elektrike.
Që nga shkurti i vitit 2022, BE-ja ka vendosur 13 paketa sanksionesh – ose masa kufizuese – që synojnë të zvogëlojnë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën kundër Ukrainës, ka vendosur kosto mbi elitat e Rusisë dhe ka zvogëluar bazën ekonomike të Rusisë.
/TheGeopost/