Gjashtë ambasada në Kiev të Ukrainës janë goditur sot nga një sulm raketor nga Rusia, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Midis ambasadave të goditura janë edhe ajo e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, disa ambasada të vendosura në të njëjtën ndërtesë janë dëmtuar, ndërsa zëdhënësi Heorhii Tykhyi e quajti sulmin “barbar”.
“Këto janë ambasadat e Shqipërisë, Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Portugalisë dhe Malit të Zi,” tha Tykhyi gjatë një konference për shtyp. “Dritaret dhe dyert e ambienteve janë shkatërruar.”
Ministritë e punëve të jashtme të vendeve përkatëse kanë dënuar sulmin. Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka quajtur këto sulme brutale.
“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale”, bën të ditur Ministria e Jashtme shqiptare. “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”.
Edhe Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë dënon ashpër sulmet e sotme raketore të ushtrisë ruse ndaj Kievit.
“Gjatë sulmit nuk ka të lënduar në mesin e stafit diplomatik, por janë shkaktuar dëme materiale në ambasadë. Shërbimet përkatëse kanë kryer një inspektim fillestar të dëmeve në vendngjarje dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë.
Ambasada e Maqedonisë është një nga gjashtë ambasadat, përfshirë edhe ato të vendeve anëtare të BE-së, të vendosura në ndërtesën e goditur nga sulmi i sotëm raketor mbi infrastrukturën kritike në rajonin Goloseivski të Kievit.
Sulmi ndaj Kievit ka ndodhur herët në mëngjes, ku një person ka humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur. Sulmi ka bërë të pamundur sistemin e ngrohjes për 630 ndërtesa banimi, 16 spitale dhe 30 shkolla e kopshte. Me këtë sulm janë dëmtuar 20 ndërtesa administrative shumëkatëshe, si dhe kisha katolike “Shën Nikolla” në qendër të Kievit dhe Universiteti Kombëtar i Gjuhëve.
Rusia ka njoftuar se sulmi është një përgjigje ndaj një sulmi ukrainas mbi një fabrikë kimike ruse duke përdorur raketa me origjinë amerikane dhe se objektivat ishin strukturat e industrisë ushtarake dhe shërbimeve të sigurisë së Ukrainës.
Forcat Ajrore të Ukrainës informuan se gjatë sulmit kanë kapur pesë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.
/The Geopost

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999