Kryeministrja e Estonisë tha të enjten se presidenti rus Vladimir Putin po gëzon vëmendjen ndërkombëtare të krijuar nga stërvitjet masive ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës dhe po kërkon një luftë të suksesshme për të ngritur mbështetjen në vend.
Duke folur për Reuters, Kaja Kallas tha gjithashtu se situata ishte jashtëzakonisht e rëndë dhe se Moskës nuk duhet t’i jepet asnjë lloj lëshimi për sa kohë që ajo mban më shumë se 100,000 trupa pranë Ukrainës. Do të ishte një negociatë nën kërcënimin e armës, tha ajo.
“Unë mendoj se ai po kënaqet qartë, duke qenë në qendër të vëmendjes në Perëndim, sepse kishte vite që ndoshta ishte disi i anashkaluar,” tha Kallas përpara një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel për të diskutuar krizën.
“Por tani, me liderët e ndryshëm perëndimorë që po e vizitojnë atë, të gjithë vazhdimisht spekulojnë se çfarë po mendon ose çfarë mund të bëjë… kjo po e bën atë padyshim shumë të rëndësishëm,” tha ajo për njeriun që ka dominuar Rusinë që nga viti 2000.
Takimet e veçanta të Putinit me udhëheqësit francezë dhe gjermanë në një tavolinë vezulluese gjashtë metra të gjatë, janë transmetuar në mbarë botën. Të mërkurën, presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro fluturoi për në Moskë për bisedime me Putinin dhe ai ka pasur disa telefonata me Presidentin e SHBA Joe Biden.
Kremlini ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën dhe thotë se lëvizjet e trupave brenda kufijve të tij dhe kërkesat për garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë përgjigje legjitime ndaj agresionit perëndimor.
Kallas mendoi se grumbullimi i trupave ruse mund të ishte, pjesërisht, i dizajnuar si një shpërqendrim nga presionet e brendshme. Putin është vënë nën vëzhgim në shtëpi për trajtimin e pandemisë nga Moska me më shumë se 700,000 vdekje nga COVID-19 në Rusi, sipas llogaritjeve të Reuters bazuar në statistikat shtetërore, dhe vetëm gjysma e popullsisë është vaksinuar.
“Kur popullariteti ulet, atëherë ju nevojitet një luftë e suksesshme për të rritur mbështetjen. Kështu që kjo është gjithashtu diçka që Rusia ose administrata ruse e kanë përdorur më parë,” tha Kallas. “Kështu që unë mendoj se këto gjëra janë padyshim të lidhura.”
Moska ka kërkuar garanci që Ukraina, një ish-republikë sovjetike, të mos lejohet kurrë të anëtarësohet në NATO, një kërkesë e cila është hedhur poshtë nga aleanca si në kundërshtim me lirinë e zgjedhjes së një vendi, megjithëse ka thënë se anëtarësimi është një perspektivë e largët.
Kallas tha se Putini po përpiqej të ripohonte Rusinë si një fuqi globale, duke vënë në dukje se ai e shihte shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991 si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të kaluar.
“E vetmja që mund të de-eskaloj situatën është Rusia. Rusia e ka krijuar këtë situatë dhe gjithashtu mund të bëjë një hap prapa,” tha ajo.
“Unë jam shumë e kujdesshme ndaj çdo lloj negociatash, për t’i ofruar Rusisë diçka, sepse ne nuk duhet të harrojmë “fotografinë e madhe”, që është se arma është drejtuar në të vërtetë nga Ukraina dhe nuk mund të keni negociata nën kërcënimin e armës,” tha ajo.