Presidenti i Kazakistanit tha në një fjalim televiziv të premten se ka autorizuar forcat e sigurisë të vendit të “qëllojnë për të vrarë pa paralajmërim”, ndërsa po kërkon t’u japë fund protestave antiqeveritare.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev, tha se ishte “marrëzi” të negociosh me protestuesit, të cilët ai i përshkroi si “kriminelë dhe vrasës”.
Udhëheqësi kazak tha se trupat paqeruajtëse ruse janë vendosur përkohësisht në Kazakistan me kërkesën e tij, për të garantuar sigurinë.
Më herët të premten, presidenti tha në një deklaratë se rendi kushtetues kryesisht ishte rivendosur pas trazirave njëjavore në vendin e Azisë Qendrore.
“Autoritetet lokale e kanë situatën nën kontroll. Por terroristët vazhdojnë të përdorin armët dhe të dëmtojnë pronat e qytetarëve. Prandaj, veprimet kundër-terroriste duhet të vazhdojnë derisa militantët të eliminohen plotësisht”, thuhet në deklaratën e presidentit.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se të shtënat me armë zjarri mund të dëgjoheshin ende të premten në mëngjes në Almaty, qyteti më i madh i vendit.
Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha në një deklaratë të premten se 26 “kriminelë të armatosur” u “likuiduan”, ndërsa më shumë se 3,000 janë arrestuar. Ministria tha gjithashtu se 18 pjesëtarë të policisë dhe gardës kombëtare janë vrarë që nga fillimi i protestave.
Demonstratat nisën në fund të javës së kaluar në pjesën perëndimore të vendit në shenjë proteste ndaj dyfishimit të çmimeve të karburanteve. Por, për shkak se ato janë përhapur në të gjithë vendin shumë shpejt dhe janë rritur shumë, disa vëzhgues politikë pohojnë se ato pasqyrojnë pakënaqësi më të gjerë në vendin që ka jetuar nën autoritarizëm që nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Në një video nga rrugët e Almatyt, shihen forcat e sigurisë, disa me automjete të blinduara, duke qëlluar vazhdimisht mbi një turmë protestuesish në sheshin e Republikës. Një përfaqësues i njërit prej grupeve të protestuesve tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e njerëzve në shesh ishin të paarmatosur.
Agjencia ruse e lajmeve Tass tha të enjten vonë se sheshi ishte pastruar nga protestuesit, por të shtënat sporadike vazhduan. Agjencitë Reuters dhe Associated Press raportuan gjithashtu për të shtëna sporadike.
Shtypja e dhunshme e së enjtes ndodhi një ditë pasi protestat, që filluan ditë më parë për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, u bënë të dhunshme dhe mijëra njerëz, disa orej tyre të armatosur me shkopinj dhe mburoja, dolen në rrugë, duke sulmuar ndërtesat qeveritare dhe duke u vënë flakën disave, përfshirë edhe rezidencën e presidentit.
Ndërsa forcat e sigurisë humbën kontrollin mbi situatën, presidenti i Kazakistanit, Tokayev kërkoi ndërhyrjen ushtarake ruse, sipas kushteve të të ashtuquajturit Traktat i Sigurisë Kolektive, që ekziston midis disa vendeve ish-sovjetike.
Ndërsa trupat e udhëhequra nga Rusia filluan të vendosen në Kazakistan të enjten, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan që të mos merrnin kontrollin e institucioneve kazake.
“Shtetet e Bashkuara dhe, sinqerisht, bota do të vëzhgojnë për çdo shkelje të të drejtave të njeriut”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
“Ne shpresojmë që qeveria e Kazakistanit së shpejti do të jetë në gjendje të trajtojë problemet që janë thelbësisht ekonomike dhe politike në natyrën e tyre”, shtoi zoti Price, duke thënë se SHBA-ja është një “partner” i kombit të Azisë Qendrore.
Në një fjalim televiziv të mërkurën, presidenti Tokayev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe iu referua protestuesve si “banditë dhe terroristë” të organizuar mirë me mbështetje nga jashtë, dhe u zotua se do t’i trajtonte me ashpërsi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, foli të enjten me ministrin e Jashtëm të Kazakistanit, Mukhtar Tileuberdi, lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme. Sipas një deklarate të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, sekretari Blinken përsëriti mbështetjen e plotë të SHBA-së për “institucionet kushtetuese të Kazakistanit dhe lirinë e medias dhe bëri thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës duke respektuar të drejtat e njeriut”.