Diana Shoshota (Diana Sosoaca), avokate, 45 vjeçe, është një nga kundërshtaret më të zëshme të vaksinimit në Rumani. Ajo është gjithashtu deputete e Parlamentit rumun.
Në Facebook, 24,000 postime dhe 18 milionë reagime që përmbajnë fjalën “Sosoaca” janë regjistruar gjatë vitit të kaluar. Emri “Diana Sosoaca” shfaqet në titullin e 38 faqeve dhe grupeve në Facebook, raporton Radio Evropa e Lirë.
Këto shifra e nxjerrin atë shumë më përpara politikanëve të tjerë rumunë sa i përket shtrirjes në mediat sociale.
Në një nga videot më të popullarizuara në Facebook, më 27 tetor, Sosoaca u është drejtuar rumunëve që janë vaksinuar kundër koronavirusit: “Keni shkuar në qendrat e vaksinimit si qengjat në thertore”.
Pak vende në Evropë janë shkatërruar më shumë nga koronavirusi sesa Rumania.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, ky vend i Evropës Lindore me rreth 19.3 milionë banorë ka regjistruar mbi 1.7 milion raste me koronavirus dhe mbi 50,700 viktima.
Rumania e ka shkallën e dytë më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian – vetëm pak përpara Bullgarisë fqinje – dhe një nga normat më të larta në botë të vdekshmërisë për kokë banori.
Midis krizës së vazhdueshme, ekspertët thonë se shumë politikanë rumunë i kanë përkeqësuar gjërat. Në vend që të përcjellin mesazhe të përgjegjshme për shëndetin publik, politikanët i përdorin pozitat e tyre si platformë për të përhapur dezinformata, thotë ekspertët.
“Ne, avokatët dhe mjekët që jemi ndaluar, ju kemi treguar të vërtetën”, ka thënë Sosoaca në videon e saj në Facebook, më 27 tetor.
“Është vendimi juaj. Unë ju kam treguar efektet anësore, lajmet globale. Tani, CDC [Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara] ka urdhëruar që të gjithë personat e vaksinuar që vdesin si pasojë e koronavirusit, duhet të regjistrohen si të pavaksinuar”, ka thënë Sosoaca, e cila shpesh bën pretendime të pabazuara në Senatin rumun kundër kufizimeve nga koronavirusi, të vendosura nga autoritetet.
Në më pak se 24 orë, videoja është bërë virale, pasi është shpërndarë rreth 46,000 herë dhe është klikuar nga afro 1 milion njerëz.
Në një video tjetër, të publikuar në Facebook më 29 korrik, Sosoaca ka thënë – pa sjellë ndonjë provë – se numri i rumunëve që vaksinohen do të duhet të falsifikohet “për t’u dukur mirë” në sytë e Bashkimit Evropian.
“Nëse nuk ka demokraci në BE, ne nuk kemi çfarë të fitojmë në BE”, ka thënë ajo.
Ashtu si vendet e tjera të Evropës Lindore, që kanë qenë brenda orbitës së Moskës gjatë Luftës së Ftohtë, Rumania vuan nga një armiqësi e madhe ndaj vaksinimit.
Shtetet e BE-së me shkallën më të ulët të vaksinimit janë të gjitha pjesë e ish-bllokut lindor komunist, përfshirë këtu: Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Letoninë dhe Estoninë.
Sosoaca nuk i kufizon aktivitetet e saj kundër vaksinimit vetëm në mediat sociale, por mesazhet e saj i nxjerr edhe në rrugë.
Ajo shfaqet shpesh në spitale ose qendra vaksinimi, ku merr pjesë në debate të ashpra me personelin mjekësor dhe të tjerë. Të gjitha filmohen dhe transmetohen drejtpërdrejt në Facebook.
Në fillim të shtatorit, Sosoaca dhe një grup ndjekësish të saj kanë shkuar në Lasi – një qytet në verilindje të Rumanisë – për të bllokuar automjetet që kanë çuar vaksina kundër koronavirusit atje.
Ajo është thirrur nga policia për prishje të qetësisë, por vetë ka pretenduar se ka përcjellë “thirrjet e fshatarëve” për të ndaluar karvanin e vaksinimit.
“Ndoshta ndër të paktët që besojnë vërtet në çështjen e anti-vaksinimit është Sosoaca”, thotë Ciprian Cucu, një akademik i fokusuar në dezinformim, në komentet e tij për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë.
“Nuk e di nëse Sosoaca ka qenë gjithmonë aq e përkushtuar, por disi është bërë e tillë. Ajo sheh komplote kudo, i kap të gjitha thashethemet dhe i përcjell ato”, thotë ai.
Mesazhet e Sosoacës përforcohen edhe nga të tjerë në mediat sociale, e veçanërisht nga Luis Lazarus.
Lazarus është njëri nga mbështetësit e saj më të zjarrtë dhe kundërshtar i madh i vaksinimit.
Më 21 korrik, Lazarus dhe Sosoaca kanë dalë drejtpërdrejt në Facebook, duke pretenduar pa asnjë provë se një djalë 21-vjeçar në Rumani, ka vdekur gjashtë ditë pasi është vaksinuar kundër koronavirusit.
Ky transmetim ka marrë rreth 1 milion shikime dhe është shpërndarë 17,800 herë.
Sosoaca mund të jetë politikania më e dukshme që përhap dezinformata për koronavirusin në Rumani, por nuk është e vetmja.
Kundër vaksinimit është edhe George “Gigi” Becali, ish-deputet i Parlamentit të Rumanisë, i njohur edhe si pronar i ekipit të futbollit, FCSB.
Edhe pse ai nuk ka asnjë llogari të lidhur drejtpërdrejt me të, komentet e tij për vaksinimin dhe masat kundër koronavirusit janë përhapur gjerësisht në Facebook.
“Pse duhet të vaksinohem? Nuk jam vaksinuar kurrë në jetën time. Edhe nëse marr trajtim [për koronavirusin], pse duhet të vaksinohem? Për të bërë ndryshime gjenetike apo çka?”, ka thënë Becali në një postim në Facebook, duke përsëritur kështu një pretendim të pabazuar se vaksinat kundër koronavirusit do ta ndryshojnë përbërjen gjenetike të njerëzve.
Deklarata është marrë nga një intervistë që Becali ka dhënë për Televizionin e Rumanisë më 24 janar – më pak se një muaj pasi ky vend ka nisur fushatën mbarëkombëtare të vaksinimit.
Postimi në Facebook ka pasur gati dy milionë shikime, shumë më shumë se transmetimi origjinal në kanalin e lajmeve Antena 3, ose në ueb-faqen e tij.
Një tjetër politikan rumun që pretendon se vaksinimi kundër koronavirusit shkakton sëmundje, është Cristian Terhes, i cili aktualisht shërben në Parlamentin Evropian. Ai ka mbi 85,000 ndjekës në faqen e tij në Facebook.
“Ta vazhdojmë së bashku luftën për liri. Kush u ka dhënë të drejtë disa zyrtarëve publikë, të zgjedhur përkohësisht në poste publike, që t’ju ekspozojnë ndaj rreziqeve me anë të vaksinës?”, ka shkruar Terhes në Facebook më 30 shtator. Postimi i tij është shpërndarë 27,000 herë.
Mesazhet që kërkojnë nga rumunët të mos vaksinohen, vijnë në një kohë shumë kritike për këtë vend.
Gati një e treta e të gjitha vdekjeve të lidhura me koronavirusin në Rumani janë regjistruar vetëm në javët e fundit, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
“Është një pjesë shumë e madhe e shoqërisë rumune që nuk është domosdoshmërisht kundër vaksinës, por që është skeptike, nuk është bindur prej imazheve nga repartet e kujdesit intensiv apo fjalëve të ekspertëve dhe mendon se e gjitha është një gënjeshtër e madhe apo histeri e ekzagjeruar”, thotë Nicolae Tibrigan, sociolog dhe ekspert i dezinformimit.