Paul McCarthy, drejtori për Evropë në Institutin joqeveritar Amerikan Ndërkombëtar Republikan (IRI), vlerësoi sot se fitorja e Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet në Serbi është edhe një triumf i pjesshëm i Rusisë.
“Partia Progresive Serbe (SNS) nuk ia doli aq mirë në zgjedhjet parlamentare në Serbi sa presidenti. Duket se ata nuk arritën rezultatin që shpresonin”, tha McCarthy për Zërin e Amerikës (VOA).
“Është shumë mirë që opozita që bojkotoi zgjedhjet e mëparshme nuk e bëri të njëjtën gjë këtë herë. Pluralizmi është rikthyer në parlamentin serb dhe do të jetë në një nivel të konsiderueshëm edhe në asamblenë e kryeqytetit”, tha McCarthy, duke shtuar se të dhënat e sondazheve tregojnë se qytetarët kanë mbështetur mesazhet e paqes dhe stabilitetit të dërguara atyre nga Aleksandar Vuçiq gjatë fushatës.
Lidhur me atmosferën në të cilën u mbajtën zgjedhjet, McCarthy tha se ishte “i shqetësuar” dhe se “ka pasur shumë dhunë”.
“Nuk mendoj se është publikuar ende gjithçka që ka ndodhur, por jam shumë i shqetësuar për dhunën dhe sulmet ndaj kandidatëve dhe anëtarëve të partive politike. Ne ende nuk e kemi parë gjithë tablonë e kësaj, por të paktën dhjetë për qind e vendvotimeve kanë pasur një lloj parregullsie. Natyrisht, këto nuk ishin ekskluzivisht raste dhune – por parregullsi që duhet të shqyrtohen me kujdes”, tha ai.
Ai shtoi se ishte shumë i intriguar nga fakti që u desh kaq shumë kohë për të publikuar rezultatet zyrtare. Kjo vonesë, tha ai, është një shkak për shqetësim.
I pyetur nëse triumfi i Vuçiqit ishte, në një farë mënyre, fitorja e Rusisë në Ballkan, McCarthy tha se Vuçiq dhe anëtarët e tjerë të qeverisë kanë lidhje të forta me Moskën – kështu që në atë rast kjo mund të konsiderohet si një fitore e pjesshme për Rusinë”.
Lidhur me rezultatet e tre partive të krahut të djathtë që duhet të hyjnë në parlament, McCarthy tha se një nga arsyet ishte rryma e fortë e nacionalizmit të krahut të djathtë, së bashku me ndjenjën pro-ruse për konfliktin në Ukrainë, që ndodhi gjatë fushatës dhe zgjedhjeve.
“Kjo në dukje ka nxitur orientimin prorus, kështu që, me zvogëlimin e pragut për kalueshmëri ajo i ndihmoi ato parti të gjenin vendin e tyre në parlament,” tha McCarthy.