
Një pjesë e publikut malazez e vlerësoi si të rrezikshëm mesazhin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe Joanikije, që Mali i Zi parashikohet të jetë një Ukrainë e vogël. Këtë opozita e konsideroi si thirrje për luftë në Mal të Zi.
E ngarkuara me punë ukrainase vlerësoi se Joanikije po mbështetet në propagandën ruse, ndërsa ambasadori britanik deklaroi se fjalët e mitropolitit duhen marrë “të mirëqena”.
Sipas historianit Millosh Vukanoviq, Mitropoliti Joanikije tha se çfarë mendon kreu i asaj kishe në Serbi dhe se historia për “neutralitetin” e Kishës Ortodokse Serbe në raport me Ukrainën është një mbulesë nën të cilën fshihen qëllimet ideologjike.
“Kisha Ortodokse Serbe është e kushtëzuar nga politika e Aleksandër Vuçiqit dhe në këtë histori është neutrale në masën e urdhëruar nga presidenti Vuçiq”, thotë ai.
Serbia dënoi kërcënimin ndaj integritetit të Ukrainës, por nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë lidhur sanksionet e tyre kundër Rusisë me Bashkimin Evropian. Çfarë tha Joanikije Më 13 mars, Mitropoliti Joanikije tha se “ngjarjet në Ukrainë janë pasoja të ateizmit të rrënjosur” dhe se Mali i Zi parashikohet të jetë një “Ukrainë e vogël”, sipas ueb faqes së Mitropolisë bregdetare malazeze.
“Duhet të bashkëndjejmë me popullin ortodoks në Ukrainë, mbi të gjitha t’i lutemi Zotit për atë popull, që për fat të keq u grindën me njëri-tjetrin. Dhe kjo nuk na duket e panjohur: kemi edhe shumë përçarje e grindje. Mali i Zi parashikohet gjithashtu të jetë një Ukrainë e vogël,” vuri në dukje Joanikije.
Ai tha se Kisha Ortodokse e Ukrainës po kalon kohën më të vështirë sot. “Vëllezërit tanë me në krye Mitropolitin Onufrije. Është Kisha kanonike e cila është në unitet me Patriarkanën e Moskës dhe me të gjitha kishat e tjera ortodokse”, tha Joanikije.
Në Ukrainë ka dy kisha ortodokse. Mitropoliti Onufrije është kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës me qendër në Kiev, e cila është besnike ndaj Kishës Ruse me qendër në Moskë. E dyta është Kisha Ortodokse e Ukrainës, e cila fitoi pavarësinë nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu në vitin 2019 dhe drejtohet nga Mitropoliti Epiphanius. Në fund të shkurtit, mitropoliti Onufrije i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë luftën vëllavrasëse.
Reagimi i parë i palës ukrainase Natalija Fijalka, e ngarkuara me punë e Ukrainës në Mal të Zi, dënoi komentet e Joanikijes për luftën në Ukrainë. “Unë personalisht mund t’ia sjell mitropolitit Joanikije fotot dhe pamjet atyre qyteteve që u vunë në shënjestër, foto të fëmijëve të vrarë, mijëra civilëve ukrainas të vrarë nga forcat ruse.
Unë mendoj se ai mbështetet në kanalet e propagandës ruse, kështu që në bazë të tyre ai ka konkluzionet e tij për situatën në Ukrainë.
Por situata nuk është e tillë që Rusia të mbron ortodoksët. Rusët ortodoksë po vrasin ukrainasit ortodoksë, të cilët i quajnë “vëllezërit e tyre”, tha Fijalka në një bisedë për Antena M. Agresioni rus kundër Ukrainës filloi më 24 shkurt./RSE/