Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter, ka treguar se cili është pozicioni i Kosovës rreth konfliktit që mund të ndodhë në mes të Ukrainës dhe Rusisë.
Kosova tashmë ka bërë të qartë se qëndron me Ukrainën, kundër trashëgimtares së Bashkimit Sovjetik — Rusisë.
“Republika e Kosovës qëndron me Ukrainën”, ka shkruar Osmani në Twitter.
The Republic of Kosovo stands with Ukraine.
????#StandWithUkraine https://t.co/sNhSPqcIZF
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 22, 2022
Ukraina ka qenë pjesë Bashkimit Sovjetik deri më 1991 kur edhe u shpërbë shteti në të cilin ndodhi Revolucioni i Kuq i Tetorit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë një popull, ndërsa liderët e shtetit të Ukrainës, sipas Putinit, po drejtojnë një projekt “anti-rus”.
Këto dy shtete kanë pasur konflikt edhe më herët. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi Krimenë – Krahinë e Ukrainës deri në atë kohë.
Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, lidhur me konfliktin që mund të ndodhë së shpejti – sipas situatës aktuale – ka thënë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën do të ketë sanksione të mëdha, megjithatë ka bërë me dije se SHBA nuk do të përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt.
Aleanca Veriatlantike – NATO, muajt e fundit në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të arrihet një marrëveshje në mënyrë që të parandalohet konflikti i armatosur. Megjithatë edhe pas përpjekjeve të gjata, negociatat për paqe nuk kanë pasur shumë efekt.
Dje ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, për të biseduar rreth fatit të Ukrainës.
Lavrov ka thënë se takimi ka përfunduar duke u dakorduar me Blinkenin se pas një jave Rusia do të pranojë përgjigje me shkrim lidhur me propozimet që Rusia i ka bërë.