Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, ka akuzuar ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, se është “financuesi kryesor i Rusisë” pasi MPJ furnizohet me karburant nga kompania ruse “Lukoil”.
Reagimi i Selës, i cili drejton opozitën shqiptare në RMV, vjen pas akuzave të tërthorta që Osmani i bëri opozitës gjatë pjesëmarrjes në një debat televiziv në Shkup.
“Ka disa ditë që zyrtarët e BDI-së shpifin kundër opozitës shqiptare, ndërsa sot Bujar Osmani arriti kulmin duke akuzuar edhe qytetarët për mbështetje të Rusisë. Ai tha se blerja e karburantëve nga kompanitë ruse është ndihmë e drejtëpërdrejtë ndaj Rusisë.”, shkruan Sela në profilin e tij në Facebook.
Me këto fjalë, sipas Selës, “Osmani bëri gabimin Frojdian dhe pranoi me gojën e vetë se ai është finansuesi kryesor i Rusisë”. “Nga të dhënat zyrtare nga servisi për publikimin e shpenzimeve Ministria e Punëve të Jashtme rrezulton se blen derivate nga kompania ruse e liçencuar në vendin tonë. Madje disa nga furnizimet janë bërë edhe gjatë ditëve të fundit të muajit shkurt. Përveç ministrisë së Osmanit, nga e njejta kompani ja furnizuar edhe pjesa më e madhe e Qeverisë dhe institucioneve shtetërore.”, shkruan Sela, duke shpërndarë edhe linkun që çon deri te këto të dhëna.
Ndaj Osmanit ka reaguar edhe zv/kryetari i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha, një tjetër parti opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut. “Ministria me të cilën udhëheq Bujar Osmani ka kontratë për furnizim me karburante pikërisht me kompaninë ruse “Luk Oil”, prandaj e pyes a i qëndron asaj që thotë se blerja e karburanteve nga kompani ruse e ndihmon luftën e Rusisë kundër Ukrainës, që rrjedhimisht nga kontrata që ka nënshkruar a i bie se Ministria e Punëve të Jashtme ndihmon Rusinë!?”, reagoi Hoxha.
Ditë më parë Osmani deklaroi se blerja e naftës nga Rusia është financim i ushtrisë ruse.
“A financojmë me vetëdije apo pa vetëdije kur blejmë benzinë në Luk Oil? Unë mendoj që Federata Ruse kryesisht financohet nëpërmjet burimeve të energjisë. Të ardhurat dominante të Federatës Ruse janë nga gazi, nafta, burimet energjetike dhe sigurisht se blerja e tyre financon ushtrinë ruse aty nuk ka dilemë”, tha Osmani.
Nga MPJ e Osmanit janë përgjigjur shkurt me shkrim se “kontratat me Lukoil” datojnë para se ai të vijë në krye të ministrisë.
Ndryshe, Lukoil është kompania më e madhe nga Rusia në vend. Me afër 50 pika të karburantit në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut , kjo kompani është e dyta në tregun e tregtisë me karburante në vend.