Mediet gjermane tregojnë për rolin shkatërrues të Serbisë në veri të Kosovës dhe sjelljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq e njohin si “nxitës sistematik i konfliktit” që ka “vazhdimësi me luftërat e viteve 1990”. Në të njëjtën kohë, këto medie paralajmërojnë për rolin e Rusisë.
E përditshmja Süddeutsche Zeitung ka publikuar një koment të gazetarit Florian Hassel për situatën në veri të Kosovës me titullin “Serbia luan një rol shkatërrues”.
Hassel fillimisht kujton se Vuçiq ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë serbe në nivelin më të lartë, por sipas tij kjo nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt.
Komenti po ashtu kujton edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, për të cilën autori pretendon se duhej të ishte një marrëveshje historike, por doli të ishte një “gabim historik” që është pengesë edhe për rajonin.
“Në vend që ta detyrojnë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo e fundit dhe Qeveria gjermane mbështesin një kompromis të kalbur. Beogradi nuk duhej ta njihte Kosovën dhe Vuçiq mund t’i shmanget ballafaqimit me historinë e dhunshme të ish-Jugosllavisë. Ai mund të manipulojë serbët e Kosovës për nevojat e veta dhe sot e kësaj dite të luajë kartën e serbëve kinse të përndjekur në Kosovë”, shkruan Hassel.
“Fakti që Vuçiq e ngriti gatishmërinë e ushtrisë në nivelin më të lartë, nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt – nuk është gjë tjetër veçse një manovër populliste për audiencën vendase. Ajo e mbështet Vuçiqin para së gjithash sepse mediat shtetërore dhe ato pro-qeveritare, janë vërshuar prej vitesh me propagandë anti-amerikane, anti-evropiane dhe pro-ruse”, shton ai.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzon të zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe të nënshkruar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 – dhe është mirë që po e bën këtë. Për shkak të rolit shkatërrues që Beogradi ka luajtur me vite në qeverisjen e serbëve që jetojnë në Kosovë, shqiptarët e Kosovës me të drejtë i frikësohen pamundësisë së sundimit të vendit të tyre – ashtu siç Bosnja e Hercegovina është tashmë e paralizuar. Edhe atje Moska dhe Republika Srpska po bojkotojnë funksionimin e një shteti të përbashkët që do ta afronte atë me vendet demokratike dhe Bashkimin Evropian. Në rastin e Rusisë, politika evropiane ishte e vonuar, por e riorientuar. Në rastin e politikës ndaj Kosovës dhe Serbisë, kjo fatkeqësisht nuk është në dukje deri më tani”, përfundon ai.
Situatë jashtëzakonisht e rrezikshme
Edhe media publike gjermane ARD ofron një raport të gjerë mbi konfliktin mes Beogradit dhe Prishtinës. Aty shpjegohet në detaje parahistoria e përshkallëzimit – nga targat, përmes barrikadave dhe të shtënave dhe reagimin e Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkimi Evropian i prezantoi qeverive të Serbisë dhe Kosovës një ‘propozim franko-gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve. Aty propozohet që Serbia të mos detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Serbia do të duhet të pranojë që Kosova të ushtrojë pushtetin në mënyrë autonome në territorin e saj. Por duket se këto përpjekje për t’u afruar janë kthyer në një qëllim të largët për shkak të incidenteve të shumta të javëve të fundit”, thekson autori Oliver Zoss.
Një koment me titull “Situatë jashtëzakonisht e rrezikshme” nga gazetari Reinhard Weser të publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung, theksohet se presidenti serb po e nxit sistematikisht konfliktin.
“Edhe para se Ushtria serbe të vihej në gatishmëri të plotë luftarake, situata në Kosovë ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Në veri të Kosovës, i populluar kryesisht nga serbët, tensioni është rritur aq shumë prej javësh sa duket se është i mundur një konflikt i armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve. Është evidente se presidenti serb po e nxit sistematikisht konfliktin ku është krijuar një situatë që mund të dalë lehtësisht nga kontrolli”, theksohet në shkrimin e Weserit.
Autori pohon gjithashtu se Rusia mund të përfitojë nga ky konflikt.
“Zjarri në një zonë që është tërësisht e rrethuar nga territori i Bashkimit Evropian dhe NATO-s do të krijonte probleme të konsiderueshme për Perëndimin. Konflikti në veri të Kosovës padyshim është i nxitur nga dinamika lokale, por nuk është e kotë të supozohet se Moska po e ndez pak atë zjarr. Perëndimi tani duhet të bëjë gjithçka për të qetësuar situatën. Kremlini ka aftësinë për të ndikuar. Në fund të fundit, Serbia është shumë më e ndërthurur ekonomikisht me Bashkimin Evropian sesa me Rusinë”, pohon autori.
Vazhdimësia me vitet 1990 të kohës së luftës
Gazeta gjermane Bild i dha fjalën ekspertit për Ballkanin nga Instituti Leibniz për Kërkimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Kleving i cili thotë se ka një arsye për t’u frikësuar nga një përshkallëzim i mundshëm në veri të Kosovës.
“Për mua, për fat të keq, ka një arsye për t’u frikësuar nga një përshkallëzim i mundshëm në veri të Kosovës. Duhet pranuar që kritikët e autoriteteve në Beograd në të gjitha këto shohin një përpjekje për të larguar vëmendjen për shkak të krizës ekonomike në vend, por deklarimi i gatishmërisë së plotë luftarake është ende i rrezikshëm”, tha eksperti për Bild.
Në të njëjtën kohë, Kleving vë në dukje një aspekt interesant të mënyrës së ngritjes së gatishmërisë luftarake.
“Në një pikë të rëndësishme, në fund të fundit, tregohet se institucionet serbe janë strukturalisht dhe ideologjikisht në vazhdimësi të thellë me vitet 1990, që nga gatishmëria e plotë luftarake, vlen për ushtrinë, policinë, xhandarmërinë dhe shërbimin e inteligjencës. Të gjithë janë vënë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë mbrëmë me vendim të ministrit të Brendshëm”, përfundon Kleving. /Deutsche Welle/