Shkruan: Xhelal Neziri, redaktor dhe bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut
Prania ekonomike e Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor ka shënuar rënie që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Por, kjo rënie nuk nënkupton me këtë është avulluar edhe ndikimi rus në rajon. Përkundër tkurrjes së investimeve ruse, ndikimi politik i Moskës çuditërisht është rritur. Kjo shpërputhje midis kapitalit dhe ndikimit është një realitet që ka befasuar një pjesë të konsiderueshme të shteteve perëndimore. Mosmarrëveshjet, armiqësitë, tensionet, konfliktet ndëretnike dhe bllokada në procesin e integrimit euroatlantik vazhdojnë të jenë të pranishme, gjë që e bën këtë rajon të cenueshëm ndaj ndikimeve malinje, të cilat kryesisht vijnë nga Rusia. Nëse jo me para, me çka i josh Rusia vendet e Ballkanit që vazhdojnë të mbajnë gjallë, madje edhe të forcojnë, agjendën e saj në rajon?
Tkurrja e pranisë ekonomike
Sanksionet dhe masat ndaluese që i kanë miratuar SHBA-ja, BE-ja dhe Perëndimi në përgjithësi duket se e kanë lodhur ekonominë e Federatës Ruse, gjë që ka rezultuar me ulje drastike të pranisë së saj ekonomike në rajon. Për shembull, në dy vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut ka një rënie të investimeve nga Federata Ruse në vlerë prej afër 6.5 milionë dollarësh. Shuma e përgjithshme e investimeve të drejtpërdrejta nga 28.9 u ulë në 22.4 milionë dollarë, gjë që e zhvendosi Rusinë në vendin e 13-të në listën e vendeve me investime më të mëdha në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat zyrtare tregojnë se vëllimi i shkëmbimeve me Federatën Ruse vitin e kaluar ishte pak më shumë se 310 milionë dollarë amerikanë, që është për rreth 37 milionë dollarë më pak se në vitin 2022. Viti 2024 duket se do të jetë edhe më i dobët. Në kuadër të tremujorit të parë, shkëmbimi tregtar është vetëm afër 80 milionë dollarë amerikanë, më i ulët në dekadën e fundit të bashkëpunimit ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse.
Investimet e drejtpërdrejta ruse në Ballkanin Perëndimor vlerësohen të jenë 2.8 miliardë euro, nga të cilat 1.2 miliardë janë regjistruar në Malin e Zi, 1.1 miliardë në Serbi kurse 540 milionë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në Kosovë dhe Shqipëri thuajse nuk ka investime ruse fare, në përjashtim të atyre që vijnë nga vendet e treta apo nga ato “offshore”, ku diskrecioni i garantuar dhe tatimet e ulëta zakonisht tërheqin kapitalin e pistë në nivel global. Njëjtë si në Maqedoninë e Veriut, investimet ruse po tkurren edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Lodhja e Rusisë nga lufta në Ukrainë dhe ndarja e gati gjysmës së buxhetit për ushtrinë dhe luftë ka rritur deficitin buxhetor të kësaj federate në afër 13 miliardë euro, një shumë gati e papërballueshme për një shtet që është nën sanksione nga gjithë bota perëndimore. Nga viti 2022 federata ruse ka shënuar më shumë shpenzime sesa të ardhura, gjë që ka dobësuar goxha ekonominë e saj. Orientimi i pjesës më të madhe të buxhetit për mbrojtje, apo për luftën në Ukrainë, ka detyruar Moskën të tërheqë kapitalin e saj të investuar në vendet tjera, e që ka shërbyer si mjet për ushtrimin e ndikimit. Kapitali rus po tërhiqet edhe nga Ballkani që nga viti 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, ndërkohë që ky proces është përshpejtuar sidomos pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022. Nga ky moment të gjithë vendet e Ballkanit rreshtohen pas politikës së jashtme të BE-së, përveç Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të cilat hezitojnë të aplikojnë të gjitha sanksionet e vendosura ndaj Moskës.
Rritja e pranisë politike
Pavarësisht tkurrjes së pranisë ekonomike në rajon, që është si rezultat i sanksioneve dhe buxheteve që financojnë kryesisht luftën në Ukrainë, Rusia megjithatë ka arritur, jo vetëm të mbajë ndikimin politik, por edhe ta rrisë atë. Tregues për rritjen e ndikimit politik janë rritja e partive pro-ruse në kryesisht vendet ballkanike me shumicë ortodokse sllave. Vazrazhdane (Rilindja) e Kostandin Kostandinov është parti bullgare pro-ruse, e themeluar në vitin 2014. Në vitin 2022 ka pasur vetëm 10 deputetë në Parlamentin e Bullgarisë, kurse aktualisht ka 37 deputetë. Bashkë me Partinë Socialiste të Bullgarisë, e cila nuk fsheh simpatinë për Rusinë, bashkë numërojnë 57 nga gjithsej 240 deputetë. Partia LEVICA (E Majta) në Maqedoninë e Veriut, subjekt poashtu pro-rus, në zgjedhjet e vitit 2020 fitoi vetëm dy deputetë, kurse në ato të qershorit të vitit 2024 arriti deri në 6 deputetë. Së bashku me partinë ZNAM të dhe Partinë Demokratike Serbe, të cilat hapur mbajnë kontakte me diplomatët e Moskës, numërojnë 13 nga gjithsej 120 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Qeveria e re e Serbisë ka rritur numrin e funksionarëve që publikisht angazhohen për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me Rusinë, pavarësisht rrezikimit të integrimit në BE, nga i cili union është thuajse i varur ekonomikisht shkaku i investimeve të drejtpërdrejta dhe i eksportit të mallrave në tregun e madh evropian. Forcimi i partive politike pro-ruse në Bosnjë e Hercegovinë, në krye me Milorad Dodikun, ka rritur shkallën e jonfuksnionalitetit të federatës dhe ka betonuar status quo-në e saj, që paraqet qëllimin kryesor e penetrimit të Moskës.
Pyetja që logjikisht parashtrohet këtu është se si është e mundur që Rusia të rrisë ndikimin e saj politik ndërkohë që po tkurr praninë e saj ekonomike? Përdorimi i emocioneve nëpërmjet promovimit të afërsisë me popullin rus në baza kulturore dhe religjioze, nga njëra anë, dhe frikës e urrejtjes ndaj Perëndimit, nga ana tjetër, po tregohet si mjet shumë efikas për Rusinë. Për të realizuar këtë strategji, Rusia përdor kishat ortodokse në rajon, shoqëritë kulturore ruse të hapura në gati të gjitha qytetet, fondacionet (“Ruski Mir”, “Rossotrudnichestvo”, “The Gorchakov Fund”) dhe mediat online. Diplomacia kishtare dhe kulturore po bëhen gjithnjë e më aktive, ndërkohë që përhapja e propagandës dhe dezinformatave po bëhet nëpërmjet mediave Proxy, e që operojnë në gjuhët e rajonit. Integrimi i ngadaltë dhe me pengesa i vendeve të rajonit në BE po keqpërdoret nga këto struktura për të rritur ende më shumë përkrahjen ndaj “alternativave” që ofrohen nga Moska, si BRICS.
Kjo situatë padyshim se kërkon një rimendim të qasjes ndaj luftimit të ndikimit rus në rajon, përderisa cilësohet si malinj. Përshpejtimi i integrimeve evropiane do të ishte një përgjigje më adekuate ndaj këtij rreziku. Më pas, investimi në lidhjet infrastrukturore, ekonomike dhe kulturore midis vendeve të rajonit do të ndikonte në uljen e tensioneve midis popujve. Hapi tjetër do të ishte intensifikimi i bashkëpunimit me BE-në para integrimit të plotë, bashkëpunim që nënkupton jo vetëm ekonominë dhe sigurinë, por edhe kulturën, arsimin dhe shkencën. Pa një përgjigje serioze ndaj këtij rreziku, forcat politike pro-ruse në rajon do të vazhdojnë të fitojnë gjithnjë e më shumë terren. Faktorizimi i mëtejshëm i tyre në Bullgari, Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë do të nxisë konflikte edhe më të mëdha, të cilat mund përfundimisht ta varrosin ëndrrën evropiane të rajonit.
/The Geopost