
Autoritetet serbe kanë përdorur marrëdhënie të mira me Rusinë për të siguruar vaksinën “Sputnjik V”, jo vetëm për Serbinë, por edhe për vendet e rajonit. Në këtë mënyrë, vaksina ruse “Sputnjik V” krijoi rëndësi gjeopolitike.
Megjithatë, sa efektive është vaksina ruse, e promovuar kaq shumë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, si dhe vetë presidenti rus Vladimir Putin? Në vetë Rusinë përqindja e vaksinimit është shumë e ulët, më pak se 30 për qind, ndërsa numri i të infektuarve dhe të vdekurve është vazhdimisht në rritje, sepse qytetarët e vendit nuk besojnë as te pushteti vendor, as te vaksina.
Situata aktuale në Serbi është e ngjashme, në bazë të të dhënave, përqindja e të vaksinuarve në Serbi aktualisht është pak më shumë se 50 për qind dhe situata epidemiologjike është jashtë kontrollit, ndërsa ekziston një situatë që një numër i madh i vaksinave “Sputnjik V” janë të papërdorura dhe kështu hiqen nga përdorimi për shkak të datës së skadencës. Nga ana tjetër, duke njoftuar për një donacion të madh prej gjysmë milioni vaksinash për rajonin, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të kufizojnë hyrjen e vaksinave ruse në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, për shkak të synimeve politike të Rusisë në rajon.
Rusia është përpjekur në mënyra të ndryshme t’i motivojë qytetarët që të vaksinohen, veçanërisht pensionistët, duke përfshirë edhe stimujt financiarë siç shihet në Serbi. Përveç shpërblimit, autoritetet ruse zbatuan edhe masa represive ndaj personave të pavaksinuar, të cilët nuk lejoheshin të hynin në metro, të blinin bileta për transport, të hynin në qendra tregtare, kinema…
Prodhimi i vaksinës ruse “Sputnjik V” kundër koronavirusit në Serbi filloi më 4 qershor të këtij viti në Institutin e Virusologjisë, Vaksinës dhe Serumit “Torlak” në Beograd. Në fillim të tetorit, ministri i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq, tha se Instituti Torlak, i cili filloi prodhimin ose paketimin e vaksinës ruse në qershor, kishte përgatitur 1.5 milionë vaksina deri më tani dhe pritet që deri në fund të vitit të prodhojë katër milionë.
Serbia dhe Rusia po tentojnë të zgjerojnë ndikimin e Rusisë edhe në Ballkanin Perëndimor, sipas njoftimeve të mëparshme, planifikohet që vaksinat ruse nga Torlak të shpërndahen në vendet e rajonit. Kështu, u rikonfirmua se qëllimi i vetëm i Rusisë është të arrijë interesin gjeopolitik përmes imponimit të vaksinës së saj, ndërsa vendet perëndimore ishin të fokusuara në vaksinimin e popullsisë së tyre, Rusia kërkoi të jepte sa më shumë vaksina në mbarë botën.
Presidenti i Serbisë dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bashkuan forcat përmes Institutit Torlak për të pasur sa më shumë vaksina “Sputnjik V” në botë. Rusia ka dëshmuar vazhdimisht se nuk zgjedh mjetet, ka përdorur dhe vazhdon të përdorë situatën e vështirë epidemike për të ushtruar sa më shumë ndikimin e saj në Ballkan. “Sputnjik V” është një vaksinë shtetërore dhe kjo është arsyeja pse ndihma ruse është vetëm një mjet tjetër i ndikimit ushtarak, politik, diplomatik dhe ekonomik.
Autoritetet ruse, të cilat besojnë vetëm në vaksinën e tyre, nuk u kanë ofruar qytetarëve zgjedhjen e vaksinave të tjera që njihen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave. Për këtë arsye qytetarët e Rusisë, për të pasur mundësinë e udhëtimit të pakufizuar në vende të tjera, vijnë në Serbi për të marrë vaksinën e prodhimit perëndimor. Serbia, e cila nuk është anëtare e BE-së, është një zgjedhje e mirë vaksinimi për rusët, sepse ata mund të hyjnë në vendin aleat ballkanik pa viza.