Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, i cili hodhi poshtë shqetësimet ndërkombëtare për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës nga vendi i tij në fillim të këtij viti, ka vdekur në moshën 64-vjeçare, njoftoi të shtunën agjencia e lajmeve Belta.
“Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë Vladimir Makei ndërroi jetë papritmas”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e vendit, duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Anatoli Glaz.
Makei ka mbajtur detyrën që nga viti 2012.
Më parë këtë javë, Makei mori pjesë në një samit të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Moska në kryeqytetin e Armenisë Jerevan dhe do të takonte homologun e tij rus Sergei Lavrov të hënën në Minsk.
Bjellorusia, e qeverisur me grusht të hekurt nga presidenti Alexander Lukashenko që nga viti 1994, ndan kufijtë me Ukrainën dhe Rusinë.
Udhëheqja bjelloruse, aleati më i ngushtë që Kremlini ka ndërkombëtarisht, lejoi që territori bjellorus të përdoret nga trupat ruse për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt.
Pak para pushtimit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shprehu shqetësimin për rritjen masive të trupave ruse përgjatë kufirit Bjellorusi-Ukrainë, Makei deklaroi se “asnjë ushtar i vetëm” rus nuk do të mbetej në Bjellorusi pasi të përfundonin stërvitjet e përbashkëta ushtarake në rajon.
Një javë më vonë, Moska transferoi trupa në Ukrainë, duke përfshirë disa nga territori bjellorus./The Moscow Times/