Vendimi i Rusisë për ndërprerë furnizimin e gazit për klientët në Evropë është “një instrument shantazhi”, thotë shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Lëvizja është “e pajustifikuar dhe e papranueshme” dhe tregon mosbesueshmërinë e Rusisë si furnizues i gazit, shton ajo.
Ajo thotë se vendet anëtare të BE-së kanë plane emergjence për këtë skenar dhe Komisioni Evropian është në kontakt të ngushtë me ta për të siguruar dërgesat alternative dhe nivelet më të mira të mundshme të ruajtjes në të gjithë bllokun.
Një takim i grupit të koordinimit të gazit po zhvillohet tani për të hartuar përgjigjen e koordinuar të BE-së, shton von der Leyen.
“Ne gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar flukse alternative – dhe unë do të vazhdoj të punoj me liderët evropianë dhe botërorë për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji në Evropë,” thotë ajo.
“Evropianët mund të llogarisin në mbështetjen tonë të plotë”.
Gazprom thotë se ka ndërprerë furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë
Gjigandi rus i energjisë Gazprom thotë se ka ndërprerë të gjitha furnizimet e gazit si në Bullgari ashtu edhe në Poloni, pasi të dy vendet refuzuan të fillojnë të paguajnë për furnizimet në rubla.
Më herët, ofruesit polakë dhe bullgarë të energjisë thanë se kishin marrë njoftime zyrtare nga furnizuesi rus i gazit se dërgesat do të ndërpriteshin.
Njoftimi i Gazprom vjen pasi pati një konfuzion herët në mëngjes, kur të dhënat treguan se furnizimet me gaz në Poloni përmes Bjellorusisë u reduktuan përkohësisht në zero përpara se të rifillonin.
Rrjeti i gazit i Bullgarisë kishte thënë gjithashtu se vendi po merrte ende gazin rus që nga mëngjesi i sotëm.