
Mbështetësit më të fortë të Ukrainës në Perëndim po premtojnë se nuk do të ketë asnjë lëshim në mbështetjen që është ofruar, pavarësisht diskutimeve gjithnjë e më të ashpra nga zyrtarët rusë. Përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në NATO ka thënë të mërkurën në Uashington se arritjet e fundit ruse në Ukrainën lindore kanë dështuar të tronditin vendosmërinë e aleancës, me anëtarët që vazhdojnë të kenë besim te forcat e Kievit.
“Bashkarisht në NATO, unë mendoj se ne shpresojmë dhe besojmë se Ukraina do të mbizotërojë përfundimisht,” i tha Julianne Smith Grupit të Shkrimtarëve të Mbrojtjes. “Niveli i respektit që shihni në të gjithë aleancën për forcat ukrainase tani është mjaft i lartë,” shtoi Smith. “Ne shohim momente kur forcat ruse përparojnë. Ne shohim momente kur forcat ukrainase janë në gjendje të tërhiqen me sukses”.
Komentet e Smith vijnë një ditë pasi Uashingtoni njoftoi se do të dërgonte sisteme më të avancuara armësh në Ukrainë, duke përfshirë sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë M142 të njohur si HIMARS.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka mbrojtur vendimin në një artikull editorial tek The New York Times të martën vonë, duke thënë se sistemet e avancuara të raketave do të ndihmojnë Ukrainën “të godasë më saktë objektivat kryesore në fushën e betejës”. Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar sisteme të tilla për javë të tëra, duke thënë se ato janë të nevojshme për të kundërshtuar artilerinë ruse që ka mundësuar arritjet e Moskës në rajonin e Donbasit. Rusia të mërkurën kritikoi vendimin e SHBA-së duke akuzuar Uashingtonin për përshkallëzimin e tensioneve. “Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara me qëllim dhe me zell po i hedhin benzinë zjarrit,” u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, gjatë një vizite në Arabinë Saudite të mërkurën e ka cilësuar këtë veprim “një provokim të drejtpërdrejtë që synon përfshirjen e Perëndimit në veprime ushtarake”. Ambasadori i SHBA-së në NATO ka hedhur poshtë shqetësimet e tilla. Ndihma ushtarake e SHBA-së për Ukrainën “ka evoluar dhe ndryshuar e gjitha gjatë dy muajve të fundit mendoj, krejt natyrshëm”, ka thënë Smith, duke shtuar mesazhin për Kievin për parametrat për ndihmën e ofruar “kanë mbetur relativisht të qarta”. “Ne nuk jemi në gjendje t’ju mbështesim me pajisje që mund të sulmojnë territorin rus,” ka thënë ajo.
“Aleatët e NATO-s janë të bashkuar që NATO nuk do të bëhet palë në këtë konflikt”. Ndaras, Smith mirëpriti propozimet e Turqisë në Rusi për të ndihmuar në krijimin e një rruge drejt bisedimeve të paqes në përgjithësi dhe negociatave që synojnë t’i japin fund bllokadës ruse të portit ukrainas të Odesës, e cila ka penguar dërgimin e grurit të nevojshëm. Smith tha gjithashtu se aleatët e NATO-s nuk presin shumë nga përpjekjet e Ankarasë.”Ne jemi skeptikë se në këtë moment do të çojë në një lloj përparimi të madh,” ka thënë ajo.”Nuk ka asnjë tregues që Rusia po e merr seriozisht ndonjë nga këto apo po negocion me mirëbesim.”