Media serbe Kosovo-Online në ditën kur përkujtohet 24-vjetori i masakrës së Reçakut, me anë të një shkrimi e ka mohuar këtë ngjarje.
Në artikullin “Reçaku dhe shembuj të tjerë të ‘normalitetit të ri’ në Kosovë” të shkruar nga kryeredaktori i kësaj medie Millosh Gariq, vazhdohet të mohohet kjo masakër.
“Nuk ka dyshim se ‘masakra e Raçaku’ është një inskenim i zoti dhe tinëzar”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e kësaj medie, e cila punon kundër të interesave të Kosovës, raporton The Geopost.
Lidhur më këtë, ka reaguar eksperti i sigurisë Agim Musliu, duke thënë se mohimi i kësaj masakre është nisur nga Shërbimet serbe të Inteligjencës, e që vazhdon nga kjo medie.
“Mohimi i Masakrës së Reçakut ka nisur nga shërbimet serbe të inteligjencës, dhe vazhdon të trumpetohet ende si i tillë. Edhe ky serbi, kryeredaktori i kësaj medie serbe, që emrin e ka ‘Kosovo-Online’, por që është krejt kundër Kosovës, sot paska mohuar këtë masakër”, shkruan Musliu në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, Gariq është bashkëpunëtorë i BIA-s serbe dhe se për këto pretendime të Kosovo-Online duhet të aktivizohet Prokuroria e Kosovës.
“Millos Gariq është bashkëpunëtor i BIA-s. OK, se jeton në Beograd dhe ndez fitil në Kosovë. Por nuk mund ta kuptoj si lejohet një medie e tillë nga prokuroria e Kosovës, nga drejtësia e Kosovës të krijojë kësi të gënjeshtrash që kanë ndikim nacional dhe internacional”, përfundon ai.
Po ashtu, profesori universitar Arben Fetoshi me anë të një reagimi në Facebook, thotë se kryeredaktori i Kosovo-Online është “altoparlant” i politikës gjenocidale të Serbisë.
“Duke e arsyetuar krimin si ‘reagim normal të shtetit kundër terroristëve’, kjo medie dhe ky farë redaktori ‘altoparlant’ i politikës gjenocidale të Serbisë, vërteton logjikën e mëtejshme kriminale ndaj shqiptarëve dhe keqpërdorimin e medies për qëllime të errëta politike”, shkruan Fetoshi.
Fetoshi shton se mohimi i të vërtetës së Reçakut tregon të vërtetën brutale të Serbisë si një Rusi e vogël në Ballkan.
“Kosovo-Online e din përmasën monstruoze të krimeve serbe në Krushë, Celinë, Fortesë, Mejë, e qindra masakra të tjera, por ‘beteja’ e tyre është e ‘porositur’ kundër SHBA-ve dhe botës së lirë. Prandaj, mohimi i të vërtetës së Reçakut tregon të vërtetën brutale të Serbisë si një Rusi e vogël në Ballkan. Një medie që s’meriton të quhet e tillë dhe një ‘redaktor’ që i shërben errësirës, sot bënë “vrasjen e dyfishtë’ të viktimave të Reçakut”, thekson ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor duke e dënuar me 1 vit burg ish-ministrin nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq për mohimin e kësaj masakre.
Todosijeviq në periudhën kohore deri sa ishte në pozitën e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në vendin tonë.
Mohimi i kësaj masakre kishte ndodhur nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë dhe të Kremlinit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq disa herë ka theksuar se masakra mbi civilët në Reçak është një trillim, madje ai ka shkuar tutje duke thënë se prapa kësaj vepre nuk qëndrojnë serbët.
Edhe, shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov, e kishte mohuar këtë masakër, duke e cilësuar si inskenim.
Masakra e Reçakut, ndodhur më 15 janar 1999, ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Një ditë pas ngjarjes, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker pasi vizitoi vendin e ngjarjes, ishte tmerruar nga kufomat e masakruara.
“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, kishte thënë Walker.
Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s ndaj makinerisë ushtarake të ish-Jugosllavisë. /The Geopost/