Se Rusia vazhdon të destabilizojë vendet në Ballkan, tregon edhe vizita e ambasadorit rus në Beograd Aleksandar Bocan-Kharchenko mu në kufirin e Kosovës dhe Serbisë në fund të shtatorit, në kohën e tensioneve të mëdha për shkak të vendimit për reciprocitet, i cili u kundërshtua nga serbët e Kosovës, por edhe për shkak të vendimit, se targat serbe të lëshuara nga Serbia do të konfiskohen.
Mesazhi që u dha gjatë vizitës është konfuz, ashtu si edhe deklaratat e zyrtarëve rusë në një kohë tensioni të madh dhe mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Vetë akti i vizitës së Kharchenkos dhe gjeneral majorit Alexander Zinchenkos, vetëm disa kilometra larg kufirit, me ministrin serb të mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq dhe shefin e shtabit të ushtrisë së Serbisë Milan Mojsiloviq, më 26 shtator, për ushtrinë serbe, e cila ishte në një gjendje të shtuar gatishmërie pranë pikës kufitare në Jarinje është një provokim i autoriteteve ruse për të vërtetuar se Rusia është gjithmonë me Serbinë për çështjen e Kosovës.
Nuk ka dyshim se Rusia i ka dhënë udhëzime presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se si të veprojë për çështjen e ushtrisë serbe, por edhe avionëve që disa ditë fluturuan mbi pikat kufitare dhe kështu shkaktuan frikë, rrezik dhe pasiguri.
Presidenti i Aleancës Atlantike në Mal të Zi, Savo Kentera, tha për The Geopost se Rusia po e përdor çdo mundësi, jo vetëm në Kosovë ,por edhe në rajon, për të treguar se me të vërtetë është e interesuar për këtë rajon dhe se ai nuk dëshiron që këtë rajon t’ia lërë Perëndimit. Ai vlerësoi se vizita e
ambasadorit rus në pikën kufitare në Jarinje, ishte pa dilemë, vetëm një nga manifestimet e vazhdimit të kësaj politike.
“Kushdo që mendon se Rusia do të hiqte ose do të heqë dorë nga ky rajon, është në lajthitje të madhe”, ka theksuar Kentera, duke komentuar vizitën e ambasadorit rus.
Presidentja dhe bashkëthemeluesja e Institutit për Analitikë Globale në Bullgari, Rumena Filipova, tha në intervistë për The Geopost se Rusia ka një ndikim të gjerë politik, ekonomik, kulturor dhe mediatik në Ballkan, ndërsa Serbia është qendra e veprimit rus të ndikimit keqdashës në Ballkan. Duke komentuar tensionet mes kufirit Kosovë-Serbi, ajo tha se incidenti duhet të hetohet në prapavijë të vazhdimësisë së gjatë të përpjekjeve të Rusisë për të mbjellë përçarje brenda Ballkanit, në veçanti mes dy popujve.
“Meqë Kremlini s’mund t’i promovojë iniciativat e tij në Kosovë (për arsye se qytetarët e Kosovës e shohin Rusinë me sy të keq), ai e ka drejtuar ofensivën e tij ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës”, ka thënë Rumenova.
Për vizitën e ambasadorit rus Kharchenko ushtrisë serbe e cila ndodhej pranë pikës kufitare Jarinje, ajo thotë se nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se Rusia ka ruajtur një ndikim të gjerë në çështjet diplomatike shërbimet dhe operacionet e inteligjencës në Ballkan, dhe veçanërisht, siç theksoi ajo, duke vazhduar partneritetin e afërt me Serbinë.