Dejan Beriq, një shtetas i Serbisë nga vendi Putinc, i cili iu bashkua separatistëve të të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut në fillim të vitit 2014, po merr pjesë në luftën në Ukrainë në anën e forcave ruse si snajper.
Mercenari serb shfaqej shpesh në mediat pro-ruse dhe u bë një nga mercenarët e huaj më të famshëm. Është përdorur për qëllime propagandistike për të ftuar njerëzit të bashkohen me forcat pro-ruse.
Sipas disa burimeve, rusët e paguajnë nga 2500 deri në 10000 dollarë amerikanë, e ndonjëherë edhe më shumë sepse gjithçka varet se cilën “punë” arrin të kryejë.
Si mercenar, Dejan Beriq ishte një yll i televizionit rus dhe është autor i librit “Kur flasin të vdekurit”, i cili shitet nëpër libraritë në Serbi.
Ai është dekoruar shumë herë me dekorata lufte në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut, është një nga serbët më të njohur, është kapiten dhe hero atje, dhe në vendin e tij është një privat i vogël dhe një borxhli i madh.
Në fund të shkurtit në vitin 2019, Beriq u shfaq në rolin e një gazetari të portalit “Politrussia” në konferencën për shtyp të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, në Moskë.
Asokohe, dialogu i tyre zgjati rreth 7 minuta, në të cilin foli për vrasjen e dhjetëra njerëzve në Donbas, për ndikimin e pretenduar të ish-kryeministrit britanik Tony Blair në qeverinë serbe dhe pyeti qëndrimin e Rusisë për çështjen e Kosovës.
Mediat ruse thonë se Beriqit iu dhanë gjashtë herë mirënjohjet më të mëdha të “Novorussia” për “guximin e treguar në luftën kundër ushtrisë ukrainase”, dhe ndër medaljet është edhe Kryqi Heroik, të cilin e mori, siç thanë ata,” për përdorim të jashtëzakonshëm të snajperit dhe shkatërrimin e gjashtë snajperistëve kundërshtar “.
Po ashtu, mediat serbe kanë shkruar për të, në të cilat ai është cilësuar si një nga “luftëtarët” më të njohur serb në frontin e Ukrainës, sigurisht në krahun e Rusisë. Ai në mediat proruse në Serbi është “hero”, “snajper i artë”, “personifikimi i heroizmit dhe pushtetit”.
Dejan Beriq, i cili që nga viti 2014 lufton në krah të forcave proruse në Donbas, u shfaq në rrjetet sociale për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ku bëri pretendime të rreme për ushtrinë ukrainase.
Mercenarëve serbë që iu bashkuan ushtrisë private ruse Ëagner për të marrë pjesë në luftime, të dënuar para gjykatave serbe, iu dhanë masa të lehta ndëshkuese. Sipas të dhënave të gjykatave të mbledhura nga Radio Evropa e Lirë nëntorin e kaluar, nga viti 2015 deri në vitin 2018, 32 luftëtarë janë dënuar për luftë jashtë vendit. Të gjithë e pranuan fajin. Kështu, 28 prej tyre kaluan vetëm me kusht, dhe katër me arrest shtëpie.
Më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën. Që atëherë, ka pasur luftime të përditshme midis ushtrive ukrainase dhe ruse. Çdo ditë, forcat ruse qëllojnë dhe shkatërrojnë ndërtesa, spitale, maternitete dhe vrasin civilë dhe fëmijë. Pushtimi rus hasi në dënime nga e gjithë bota. SHBA, BE, por edhe pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor vendosën sanksione të ashpra ndaj Moskës. Protestat në mbështetje të Ukrainës zhvillohen çdo ditë në shumë vende dhe Putinit i bëhet thirrje për një armëpushim.
Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, as nuk e ka mbyllur qiellin për avionët rusë. Me këtë lëvizje, presidenti serb dëshmoi edhe njëherë në anën e kujt është, edhe pse “dënoi pafajësinë ruse”, nuk bëri asgjë më shumë se disa fjalë, i qëndroi besnik “sundimtarit” të tij.