Lajme për tensione të reja në veri të Kosovës, si dhe për faktin se Serbia ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë, raportojnë disa media gjermane. Gazeta Frankfurt shkruan se si Rusët e ikur nga Putini po e ndryshojnë Beogradin.
“Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë sërish në rritje”, raporton portali i shërbimit publik gjerman ARD. “Pas të shtënave pranë barikadave serbe në Kosovë, Serbia e ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj në kufirin me shtetin fqinj në ‘nivelin më të lartë’ (…) Është e paqartë se çfarë do të thotë ky urdhër në terren, veçanërisht pasi forcat serbe kanë qenë në kufi për disa kohë në gatishmëri”.
Sueddeutsche Zeitung shkruan gjithashtu se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë shtuar javët e fundit dhe se për këtë arsye qeveria serbe ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj. Gazeta e Mynihut rikujton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviq që të shkojë në zonën kufitare, sepse situata në kufi është “e komplikuar dhe komplekse”.
E përjavshmja Spiegel kujton se “qindra serbë kanë bllokuar trafikun në veri të Kosovës për javë të tëra” dhe shton, “Pak para se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të nisej për në zonën kufitare, disa media serbe shpërndanë një videoklip në internet me të shtëna me armë zjarri. Sipas raportimeve bëhet fjalë për ‘përleshje’ të ndodhura mbrëmjen e së dielës. Forcat e Armatosura të Kosovës thuhet se po përpiqeshin të largonin një barrikadë që ishte ngritur nga Serbët. Kjo u mohua menjëherë nga policia e Kosovës”, shkruan Spiegel në edicionin e tij online. .
Me ardhjen e Rusëve, Beogradi po ndryshon me një shpejtësi të pabesueshme
Situata në Ballkan, pra në Serbi, është gjithashtu temë e një artikulli në Frankfurter Algemeine Zeitung për fluksin masiv të Rusëve në Serbi. Autori i artikullit, gazetari Mihael Martens, beson se kryeqyteti serb ka ndryshuar muajt e fundit me një ritëm të paprecedentë në historinë e tij të gjatë.
“Kjo për shkak të numrit të madh të njerëzve nga Rusia që janë vendosur në kryeqytetin serb pas sulmit rus në Ukrainë. Ata erdhën në dy valë. Vala e parë përfshiu Beogradin pak pas 24 shkurtit, kur filloi pushtimi rus në Ukrainë. Këta ishin kryesisht rusë shumë opozitarë, të cilët nuk mundën ose nuk donin të pajtonin ndërgjegjen e tyre për të vazhduar të jetonin në vendin e agresorit. Të tjerët erdhën kryesisht për arsye biznesi, sepse nuk donin të humbnin aksesin në tregje dhe në bankat e rrjetit global. Interesat pragmatike dhe neveria morale ndaj regjimit rus shpesh kombinohen. Ata donin të vazhdonin biznesin e tyre dhe nuk donin që djali i tyre të rritej në shoqërinë fashiste që Putin ka krijuar në Rusi, siç shpjegon një çift i suksesshëm në sektorin e IT-së.”
Shumica e Rusëve në Beograd nuk kanë probleme financiare, por disa Serbë kanë tani, pasi ardhja e një numri të madh Rusësh ka çuar në një shumëfishim të çmimeve të qirave, sipas gazetës Frankfurter Algemeine Zeitung.
Vala e dytë e imigracionit, siç u theksua, filloi kur Putini shpalli mobilizimin më 21 shtator. “Kjo valë nuk ka përfunduar ende, përkundrazi. Numri i shtetasve rusë të regjistruar në Serbi po rritet çdo ditë. Sipas Ministrisë së punëve të brendshme së Serbisë, më shumë se 140,000 shtetas rusë janë regjistruar në Serbi, shumica e tyre në Beograd.
Teksti kujton se, sipas Ministrisë së Brendshme, në Beograd janë rreth 23,000 ukrainas dhe rreth 5,500 bjellorusë. “Megjithatë, këta pothuajse 170,000 njerëz – ndoshta ka më shumë ndërkohë – nuk janë të shpërndarë në mënyrë të barabartë në qytetin me rreth dy milionë banorë. Ata jetojnë kryesisht në qendër dhe në pjesët më të mira të qytetit. (…) Rusisht është bërë gjuha e dytë e Beogradit dhe Rusët janë pakica më e madhe në qytet”.
Kjo valë e dytë, sipas vlerësimit të Frankfurter Allgemeine Zeitung, konsiderohet më pak politike. “Pjesë e kësaj vale janë disa Rusë që janë ndoshta më pak kundër Putinit dhe më shumë kundër efekteve që politikat e tij po sjellin mbi ta. Në çdo rast, ata nuk kanë ndërmend të humbasin jetën në fushën e betejës për Putinin.”
Nganjëherë ka armiqësi midis emigrantëve të valës së parë dhe të dytë në Beograd, dhe Rusët e valës së parë aktivë politikisht janë të mërzitur nga oportunizmi i disa bashkatdhetarëve të tyre që jetojnë në Beograd, shkruan gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Por rezerva e tyre nuk është domosdoshmërisht për shkak të oportunizmit. Një nga organizatorët e diasporës ruse thotë se disa rusë dhurojnë bujarisht për protestat kundër Putinit, por janë të kujdesshëm që të mos shfaqen në publik sepse kanë ende të afërm ose interesa biznesi në Rusi. Kujdesi i tyre është i kuptueshëm, pasi shërbimi sekret serb është drejtuar së fundmi nga Aleksandar Vulin, një politikani ro-rus dhe mbështetës besnik i presidentit Aleksandar Vuçiq. Ata nuk duan të ekspozohen në një vend, popullsia e të cilit i ka pritur krahëhapur dhe politikat e të cilit po lëkunden”, përfundon Martens në një artikull për Frankfurter Allgemeine Zeitung./dw/