
Një numër i madh i serbëve, me urdhër të Listës Serbe (SL) dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kanë protestuar të premten në Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicë për shkak të mos mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, të cilat janë thirrur për 3 prill.
Ndonëse shumica e tyre dolën në protesta pikërisht për shkak të presionit të Beogradit zyrtar dhe vetë Listës Serbe, listës që përfaqëson të gjithë serbët në Kosovë dhe zëri i vetëm i së cilës dëgjohet në Serbi. Ajo parti politike vetëm pak ditë më parë kërcënoi se do të largohet nga institucionet e Kosovës në rast se nuk organizohen zgjedhjet serbe në Kosovë, por sikur edhe deri tani kjo nuk ka ndodhur.
Një ditë para protestës, të gjithë serbët që punonin në strukturat paralele, e kishin “detyrim pune” që t’i përgjigjeshin thirrjes së Vuçiqit dhe SL-së dhe të dilnin në protestë që në Serbi dhe në botë të shkojë imazhi se u vjen shumë keq “për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe, edhe pse kjo është në radhë të parë vetëm një fushatë e mirë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale serbe, në mënyrë që vetë presidenti i Serbisë t’i sigurojë me kohë votat e serbëve nga Kosova.
Në protestat e sotme u vu re një numër i madh i serbëve, të cilët u organizuan dhe shkuan në protesta së bashku në një kolonë, me vetura dhe autobusë.
Nënkryetari i Listës Serbe dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i marshimit protestues ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”.
Në Mitrovicën e Veriut, banorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës protestuan, ndërsa në Graçanicë, ata që jetonin në gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të Ibrit erdhën në mënyrë të organizuar.
Kujtojmë se protestat i ka paralajmëruar nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq. Më 22 mars, pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ai tha se sot serbët do të mbajnë protesta paqësore që kanë mesazh.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se protestat nuk do të kontribuojnë në marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është edhe synimi i Bashkimit Evropian. Kurti tha se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë të ndaluara, por se nuk është arritur marrëveshje për mbajtjen e tyre.
Ai ka theksuar se kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve serbe është dashur t’i dërgohet drejtpërdrejt qeverisë së tij, e jo përmes oficerit ndërlidhës.
Megjithatë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se vendimi i Kurtit për të mos lejuar serbët në Kosovë të votojnë më 3 prill kishte për qëllim “poshtërimin e serbëve”, por edhe “zvogëlimin e numrit të votave” për të dhe listën zgjedhore të Partisë së tij Progresive Serbe./The Geopost