
Paralmërimet për bomba në 41 shkolla në të gjithë Malin e Zi ishin të rreme dhe ishin krijuar të gjitha parakushtet për mësim të papenguar, njoftoi Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.
Zyrtarët e administratës policore kanë vepruar sipas të gjitha raporteve të dorëzuara gjatë ditës, të cilat kanë të bëjnë me pretendimet për mjete shpërthyese në institucionet arsimore dhe objektet tjera”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.
“Aktivitetet policore për identifikimin e dërguesit janë në zhvillim e sipër, si përmes aktiviteteve intensive policore dhe prokuroriale në vend, ashtu edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Nga aspekti i kontrolleve të kryera, procedurave të zbatuara dhe procedurave që kemi realizuar deri më tani, ekzistojnë të gjitha parakushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor në institucionet arsimore”, përfundon njoftimi i Drejtorisë së Policisë.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, theksoi se siguria e fëmijëve, si kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, dhe e të gjithë qytetarëve, duhet të jetë prioritet absolut i shtetit dhe i secilit individ.
“Nuk duhet të lejojmë që procesi më i rëndësishëm i një shoqërie, siç është arsimi, tashmë i përballur me probleme në funksionim dhe një pandemi, të vuajë për shkak të atyre që synojnë të provokojnë emergjenca dhe të destabilizojnë vendin përpara zgjedhjes së qeverisë së re, në prag të sezonit turistik”, theksoi Gjukanoviq në Twitter./The Geopost