Duke mbajtur në dorë fotografinë e Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, mijëra serbë sot dolën në protestë në vijën në mes etnitetit të Republikës Srpska dhe me Federatën e Bosnje e Hercegovinës për të dhënë mesazh për ndarje mes këtyre dy etniteteve.
Kjo protestë çoi në bllokadë të katër rrugëve kryesore në veri dhe jug të Bosnje e Hercegovinës. Protesta ishte për mbrojtjen e të sanksionuarit të SHBA-së Milorad Dodik dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare në Rpublikën Srpska, Millosh Lukiq.
Protestuesit kundërshtuan aktakuzën e ngritur më 11 gusht nga Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovincës ndaj Dodikut dhe Lukiqit për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
Mediat në Bosnjë publikuan video nga protestat.
Protestuesit u shfaqen me një pankartë të madhe të Putinit në dorë dhe u intonua himnin e Republikës Srpska.
“Rrugë e bllokuar në linjën e entitetit midis RS dhe Federatës së BiH në Sarajevë. Serbët që bllokuan rrugën mbajnë fotografi të presidentit rus Vladimir Putin. Trafiku është i bllokuar në disa vende në BiH në linjën e entitetit. Bllokada u organizua në shenjë mbështetjeje për Milorad Dodik, i cili u padit për mosbindje ndaj vendimeve. Me këndimin e himnit kombëtar të RS, protestat e serbëve nisën zyrtarisht në linjën e entitetit në Sarajevë”, shkroi Istraga.ba.
Në protesta morën pjesë rreth 2.000 persona që bllokuan rrugët kryesore që çojnë drejt Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Dodiku nuk ishte i vetmi nacionalist që u madhërua nga serbët e mbledhur. Aty u dëgjuan edhe thirrje të protestuesve për Ratko Mlladiqin, të dënuar për gjenocid dhe krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Lidhur me protestat e 1 shtatorit në mbështetje të Dodikut – që gjendet në listën e zezë amerikane – ka pasur reagime nga zyrtarët ndërkombëtarë.
Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, i ka cilësuar protestat si manipulim të qytetarëve.
“Është e papërgjegjshme të organizohen ngjarje politike që nxisin përçarje në vijën ndarëse midis entiteteve”, tha Schmidt.
Nga Zyra e Schmidit po ashtu kanë thënë se kjo “vijë midis entiteteve” nuk është “një kufi” midis Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, por është vetëm një vijë administrative.
Protesta kishte moton “kufiri ekziston” edhe pse nuk ka kufij real midis dy entiteteve të Bosnje e Hercegovinës, të cilat quhen “vija demarkimi në mes entiteteve” në Kushtetutën e shtetit dhe Marrëveshjen e Paqes të arritur në Dejton më 1995.
Për veprimet e njëanshme të nacionalistit Dodik është ngritur shqetësimi si në SHBA ashtu edhe BE me frikën se kjo mund të dërgojë në prishjen e paqes në gjithë rajonin.
Sigurisht këto veprime të Dodikut u dënuan nga Perëndimi por gjetën mbështetje në Serbi e Rusi. Para disa javëve Dodik priti në Republikën Srpska Presidentin e Serbisë Vuçiç dhe Porfirijen.
Më 11 gusht, Zyra e Prokurorit e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, të cilët akuzohen për veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt. /Geopost/