
Takimi i sotëm në Soçi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe atij rus Vladimir Putin, i 19-ti takim mes tyre, është përcjellë me shumë pritshmëri, por për opinionin nuk u bë publike se çfarë konkretisht u diskutua prapa dyerve të mbyllura, përveç asaj që ishte paralajmëruar disa ditë më parë. Presidenti rus gjatë takimit me “mikun e tij të ngushtë” serb, siç thotë ai vetë, e kolegun e tij Vuçiq, deklaroi se në Soçi do të gjendet zgjidhja për çmimin e gazit rus.
“E di që ju shqetësojnë veçanërisht disa çështje që lidhen me skadimin e marrëveshjes së blerjes së gazit. Unë mendoj se do të biem dakord, do të urdhërojmë subjektet përkatëse që ta kryejnë atë punë. Në çdo rast, ne do të gjejmë një zgjidhje të tillë që sigurisht do të jetë e pranueshme për miqtë tanë serbë”, tha Putin.
Putin gjithashtu e shfrytëzoi takimin me Vuçiqin për të bindur popullin serb që edhe kësaj radhe ta mbështesë në zgjedhjet e ardhshme, ndonëse shumica e votuesve e kanë bërë këtë në mënyrë të pavullnetshme edhe deri më tani.
“Dua të shpreh mirënjohjen time për vëmendjen tuaj personale, që i kushtoni zhvillimit të marrëdhënieve ruso-serbe”, i tha Putin Vuciqit, duke shprehur shpresën se votuesit do ta mbështesin atë.
“Të uroj suksese”, deklaroi presidenti rus në fillim të bisedës me Vuçiqin në rezidencën e Boçarov ruçej në Soçi.
Gjatë takimit është folur edhe për vaksinën ruse, të cilën Aleksandar Vuçiq e ka marrë si donacion me shumë entuziazëm, por mikut të tij rus nuk i ka thënë se serbët në Serbi e shmangin marrjen e kësaj vaksine sepse nuk kanë besim te autoritetet serbe dhe ruse, ai madje s’i ka thënë as se rusët në Serbi vijnë për vaksina të prodhimit perëndimor.
“Kam kënaqësinë të them se jo vetëm që kemi dorëzuar vaksinën ‘Sputnik V’, por është organizuar edhe prodhimi në Beograd, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë dhe vendet përreth në të cilat mund të eksportohet. Ky është një moment jashtëzakonisht pozitiv i bashkëpunimit tonë, i cili gjithashtu flet për besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të thellë”, tha presidenti rus me entuziazëm të madh.
Putin theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ushtarako-teknik midis dy vendeve si dhe bashkëpunimin në arenën ndërkombëtare. Derisa Vuçiq, i cili gjatë gjithë kohës fliste rusisht, tha se bashkëpunimi ushtarako-teknik ishte në nivelin më të lartë dhe falënderoi Rusinë për “dhuratat e bukura”, edhe pse Rusia ka dhuruar vazhdimisht armë të vjetra ku Serbia ka investuar shumë para në modernizimin e të njëjtave.
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike Dushan Janjiq, në një intervistë për Geopost, vlerëson se takimi i sotëm i 19-të ndërmjet Vuçiqit dhe Putinit në këtë moment kishte më shumë rëndësi për Vuçiqin sesa për Putinin. Ai tha se Serbia pa dyshim nuk qëndron aq mirë sa thotë Vuçiq dhe se kjo vizitë është e rëndësishme si një sinjal se jo gjithçka është ashtu siç thotë qeveria.
“Le të themi se ky është pothuajse takimi i 20-të i dy presidentëve, në vazhdën e takimeve të shpeshta , partnerët nuk janë të barabartë, mund të jenë të barabartë, por nuk janë të barabartë me forcë në skenën publike ndërkombëtare, apo në parametra tjerë, padyshim është që Vuçiqit i duhej më shumë ky takim për momentin sesa Putinit dhe mendoj se ka dy gjëra kryesore, njërën prej të cilave në shoqëritë demokratike presidentët nuk e bëjnë, por në shoqëritë autoritare presidentët mund të ndikojnë në çmimin e energjisë dhe në dinamikën e pagesës të borxheve të huaja ndërshtetërore, e që të dyja e mundojnë Serbinë”, ka theksuar Janjiq për portalin tonë.
Siç tha ai, Vuçiqit duhet të shtyjë disa borxhe dhe atij i duhet edhe një lloj çmimi i privilegjuar i gazit.
“Siç e dimë ‘borxhi nuk është mik i mirë’, Serbia padyshim nuk është aq e madhe sa thotë Vuçiq, kështu që kjo vizitë, të paktën për publikun vendas, është shumë e rëndësishme si një sinjal se jo gjithçka është ashtu siç thotë qeveria. Këtu na pret një krizë energjetike dhe ekonomike dhe paqëndrueshmëri monetare, veçanërisht nëse Putini nuk pajtohet dhe nuk mund të shtyjë shumicën e borxheve që kanë ardhur”, tha Janjiç.
Sa i përket konsultimit të dytë të zakonshëm për çështje bilaterale dhe çështje të tjera politike, Janjiq thekson se këtu sigurisht përfshihet edhe synimi i Vuçiqit për ta informuar Putinin për situatën në rajon, në Serbi, për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
“Çfarë mund të zbulohet, e që s’është thënë tashmë?” Shumë pak. “Unë supozoj se Putini, nëse është i sinqertë me Vuçiqin, mund ta informojë Vuçiqin për disa detaje dhe gjëra të rëndësishme dhe marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Uashingtonit dhe Moskes e Uashingtonit, të cilat kanë të bëjnë me Evropën, dmth Ukrainën, dhe natyrisht Ballkanin Perëndimor”, tha Janjic.
Janjiq po ashtu ka theksuar për portalin tonë se takimi i dy presidentëve duhet të tregojë marrëdhëniet e mira mes dy liderëve dhe se sipas tij, lideri i Beogradit duhet ta përdorë atë për fushatën e tij që nuk ndalet.
Një takim konsultativ do të duhej ta ndihmonte në një farë mënyre vetë Vuçiqin të vendosë se cilën anë do të mbajë kur bëhet fjalë për Bosnjë dhe Hercegovinën. Mbështetja për Molorad Dodikun, të cilën e ka për zemër Moska, nuk është në interesin e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe është drejtpërdrejt kundër administratës amerikane në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe ruajtjen e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe hyrjes së Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO”, ka theksuar Janjiq.
Janjiq thekson se Rusia ka frikë se Serbia do të shkojë në rrugën e NATO-s dhe se kjo është perspektiva kryesore nga e cila Putini do t’i vlerësojë të gjitha lëvizjet e tij. Ai shtoi se përqindja e gazit më të lirë do të tregojë se sa i kënaqur është ai me përgjigjet e Aleksandër Vuçiqit.